Operacioni “Romano 2017”, arrestohen shijaksit

schedule20:47 - 9 Dhjetor, 2019

schedule 20:47 - 9 Dhjetor, 2019

Gjatë një operacioni policor në Shijak u arrestuan 3 persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia italiane. Ata do të ekstradohen në vendin fqinj, ku akuzohen për trafik narkotikësh.

Uniformat blu kanë vënë në pranga tre persona në Shijak, ndërsa një tjetër  është shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi nuk është gjetur në banesë.

Në kuadër të operacionit “ROMANO 2017″, Policia Kriminale dhe FNSH, në koordinim mes Interpol Tirana dhe Interforcës italiane në Shqipëri, kanë mësyrë në Shijak në orët e para të mëngjesit dhe kanë ndaluar Florenc Mema, Demokrat Çizmja dhe Luan Bodlli.

Këta persona janë arrestuar për qëllim  ekstradimi pasi kërkohen  nga drejtësia italiane, për veprën penale  “Trafikim i lëndëve narkotike”. Gjatë operacionit që është zhvilluar, në të njëjtën kohë në Shqipëri dhe në Itali, janë ekzekutuar 18 masa sigurie.

Në vendin fqinj janë arrestuar 12 shqiptarë, italianë  e marokenë.

Autoritetet italiane kanë vendosur ekzekutimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, dhënë nga Gjykata e Bergamos,  për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, për 16 shqiptarë, italianë dhe marokenë.

Hetimi për këtë grup kriminal ka nisur në vitin 2017, pasi dyshohet se ky grup trafikonte lëndë narkotike nga vende të ndryshme drejt Italisë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!