U dekonspirua operacioni i SPAK? AMP: Po verifikojmë nëse ka pasur rrjedhje informacioni

schedule20:12 - 20 Maj, 2022

schedule 20:12 - 20 Maj, 2022

SPAK lëshoi 32 urdhër arreste për një numër të madh personash të dyshuar si të përfshirë në krime të rënda ditën e djeshme.

Në listë ishin edhe emrat e Ervis Martinajt, Talo Çelës dhe Suel Çelës, të cilët nuk janë arrestuar ende nga policia. Fakti që nuk janë arrestuar “VIP-at” e listës së SPAK ngre dyshime mbi mundësinë e dekonspirimit të operacionit të policisë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore përmes një postimi në faqen zyrtare ka bërë me dije se ka filluar verifikimin për çdo dyshim nëse ka pasur ose jo rrjedhje informacioni.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) po verifikon çdo dyshim nëse ka patur rrjedhje informacioni, gjatë operacionit të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Policia e Shtetit, në kuadër të procedimit penal nr.75/2022, përmes të cilit u caktuan dhe ekzekutuan masat e sigurimit personal të karakterit shtrëngues “Arrest në burg” për 32 shtetas, mes tyre edhe një punonjës policie.
Në përfundim të këtij operacioni, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore siguron opinionin publik dhe mediat se do të hetojë me seriozitetin maksimal çdo dyshim për rrjedhje të mundshme të informacionit nga punonjës të policisë, si edhe çdo përfshirje nëse ka, në aktivitete të paligjshme”, thuhet në deklaratë. /abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!