Operacioni i SPAK, mes tyre shefi i krimeve në Lezhë, emrat e personave të goditur sot nga FNSH dhe RENEA

schedule13:14 - 19 Maj, 2022

schedule 13:14 - 19 Maj, 2022

Krerët e SPAK dhe Policisë së Shtetit kanë dhënë detaje në lidhje me operacionin e madh të FNSH-së dhe RENEA-s gjatë 24 orëve të fundit. Sipas Gledis Nanos, operacion është quajtur “Golden Bullet-Plumbi i artë” dhe në kuadër të këtij operacioni i janë komunikuar urdhër ekzekutimet nga GJKKO 18 personave.

Mes tyre është edhe shefi i Krimeve në Policinë e Lezhës, siç është Leonard Palushi. Ai akuzohet për shpërdorim detyre.

Operacioni u shtri në katër qarqe, siç janë Tirana, Elbasani, Durrësi dhe Lezha. Nano dhe Arben Kraja nuk dhanë detaje në lidhje me personat “VIP” të krimit në vend, të cilët nuk janë arrestuar, pavarësisht se GJKKO kishte lëshuar urdhër arreste. Ata theksuan se nuk dyshojnë se operacioni është dekonspiruar.

Nuk kemi asnjë dyshim për dekonspirim, por procedurat janë të tilla që kërkojnë kohën e duhur sepse janë një numër i madh personash për të cilët kishte masa arresti”, deklaroi Kraja kur u pyet nga gazetarët.

Si rezultat i kontrollit të banesave dhe hoteleve janë sekuestruar 3 armë zjarri (konkretisht 2 kallashnikovë dhe 1 pistoletë), 2 antiplumb si ato që përdor Policia e Shtetit, municion luftarak, rreth 17 mijë euro, aparate celulare, fatura bankare, automjete dhe sende të tjera të përfituara nga veprimtaria kriminale.

“Ky operacion u drejtua nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Deri tani janë ekzekutuar gjithsej 18 masa sigurie, nga këto 9 persona u kapën gjatë operacionit, ndërsa për 9 të tjerët, masat e sigurisë u ekzekutuan në disa IEVP, sepse këta shtetas janë arrestuar më parë, për vepra të ndryshme penale”, tha Nano duke theksuar se personat që nuk janë kapur deri më tani do të kapen në ditët në vijim.

Personat, për të cilët është ekzektuar urdhri i GJKKO-së:

Nuredin Dumani

Henrik Hoxha,

Ardian Uzuni

Altin Ndoci

Skerdi Tasi

Leonard Palushi

Fatos Gosa

Erion Alibej

Gentjan Sharra

Florenc Cekrezi

Elvis Koci

Ilirjan Feci

Petrit Qoli

Agron Qoli

Agron Qafa

Artan Plaka

Besjan Xhixha

Fjala e Gledis Nanos:

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano, mbajtur në SPAK, gjatë konferencës për operacionin “Golden bullet”.

“Përshëndetje të gjithëve,

Operacioni i koduar “Golden bullet”, që është në vijim, ka nisur menjëherë pas arrestimit të shumë të kërkuarit Nuredin Dumani, i cili u arrestua gjatë operacionit policor të koduar “Arratia”, që u zhvillua nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Pas veprimeve intensive hetimore të kryera nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, si dhe në bazë të  informacioneve të mara nga burime të ndryshme, u krijuan dyshimet e arsyeshme për përfshirjen e shumë personave të tjerë, në veprimtari kriminale kundër personit dhe në fushën e krimit të organizuar.

Menjëherë pas nxjerrjes së urdhër arresteve për 32 persona dhe urdhrave për kryerjen e kontrolleve në 28 banesa, të lëshuara nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Policia e Shtetit organizoi operacionin policor të koduar “Golden bullet”, për ekzekutimin e masave të sigurisë “Arrest në burg”.

Operacioni u shtri në disa qarqe, në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Lezhë. Në operacion u përfshinë forcat speciale RENEA, FNSH, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria Kundër Krimeve ndaj Personit e Pasurisë, Drejtoria Hetimore, si dhe Drejtoritë Vendore të qarqeve që përmenda.

Ky operacion u drejtua nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Deri tani janë ekzekutuar gjithsej 18 masa sigurie, nga këto 9 persona u kapën gjatë operacionit, ndërsa për 9 të tjerët, masat e sigurisë u ekzekutuan në disa IEVP, sepse këta shtetas janë arrestuar më parë, për vepra të ndryshme penale.

Gjatë operacionit, si rezultat i kontrollit të banesave dhe hoteleve janë sekuestruar 3 armë zjarri (konkretisht 2 kallashnikovë dhe 1 pistoletë), 2 antiplumb si ato që përdor Policia e Shtetit, municion luftarak, rreth 17 mijë euro, aparate celulare, fatura bankare, automjete dhe sende të tjera të përfituara nga veprimtaria kriminale.

Operacioni “Golden bullet” është tregues i bashkëpunimit të shkëlqyer mes Policisë së Shtetit, SPAK-ut dhe Prokurorive të Rretheve Gjyqësore, konkretisht asaj të Elbasanit, si dhe të  profesionalizmit të këtyre strukturave, në hetimin e thelluar që çoi në identifikimin dhe dokumentimin e veprimtarisë kriminale të këtyre personave dhe grupeve kriminale.

Operacioni është në vijim dhe dua të garantoj qytetarët se strukturat e Policisë së Shtetit nuk do të ndalojnë asnjë moment operacionet, deri në kapjen e të gjithë personave të kërkuar që janë të përfshirë në veprimtari kriminale.

Gjithashtu, shpreh vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të bashkëpunuar ngushtësisht me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit dhe me homologët tanë, me qëllim lokalizmin, kapjen dhe çuarjen përpara drejtësisë, të këtyre personave, që mund të strehohen jashtë vendit.

Njëkohësisht, mbetem i vendosur për të pastruar nga radhët e Policisë së Shtetit ata punonjës policie që shpërdorojnë detyrën apo më keq akoma bëhen palë me krimin, si dhe inkurajoj agjencitë ligjzbatuese që të hetojnë çdo rast të përfshirjes së punonjësve të Policisë, në veprimtari të kundërligjshme.

Ftoj qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit, që bashkërisht të parandalojmë, të evidentojmë dhe të godasim paligjshmërinë, krimin në përgjithësi dhe atë të organizuar në veçanti,  me qëllim krijimin e një ambienti shumë më të sigurt për qytetarët dhe aspak të sigurt për shkelësit e ligjit.

Faleminderit!”

Fjala e Arben Krajës:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.75/2022. Byroja Kombëtare të Hetimit dhe Drejtoria e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim të ngushtë kanë kryer veprime të shumta hetimore në drejtim të zbulimit të autorëve të disa ngjarjeve shumë të rënda kriminale të ndodhura në qytete të ndryshme.

Përkushtimi dhe angazhimi i policisë gjyqësore të këtyre dy strukturave të përfshirë në hetime, nën drejtimin e Prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, bëri të mundur që pas hetimeve intensive dhe të shumta të grumbullohen prova në drejtim të shumë ngjarjeve kriminale të ndodhura dhe të autorëve të tyre.

  • Fillimisht Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar në datën 14.04.2022, procedimin penal 75, për veprat penale “Vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 78/2 ne lidhje me nenin 22, 278, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal; si dhe për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” e kryer në bashkëpunim dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, parashkuar nga neni 278 dhe neni 302 të Kodit Penal.

 

  • Në vijim të hetimeve, janë zbuluar të dhëna të rëndësishme lidhur me disa vrasje të kryera në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, vrasje të mbetura në tentativë, krijimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, vjedhje me dhunë dhe armë, vepra dhune, shkatërrim prone me lëndë plasëse, etj. Si rrjedhojë e këtyre të dhënave janë tërhequr dhe studjuar dosjet penale që kanë të bëjnë me këto ngjarje penale. U tërhoqën dosjet e 18 procedimeve penale të ndryshme dhe u bashkuan në një procedim të vetëm me procedimin nr.75/2022. Pas studimit të tyre, mekanizimit të kryerjes së veprave penale, motivit apo konfliktit, veprimeve hetimore në secilën prej tyre, të analizuara këto në raport me të dhënat e reja të disponuara, u evidentuan të dhëna në drejtim të identifikimit të autorëve të dyshuar të këtyre veprave penale.

 

  • Hetimet e kryera për këto ngjarje kriminale kanë evidentuar ekzistencën e 8 grupeve të strukturuara kriminale të cilët kanë shtrirje gjeografike kryesisht në qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit. Në Elbasan 4 grupe, në Durrës një grup dhe në Tiranë 3 grupe. Këta grupe kriminale janë dedikuar në veprat penale në dëm të jetës dhe shëndetit si edhe në drejtim të pasurisë. Ajo që është karakteristikë për këta grupe kriminale është dhuna e egër e treguar në kryerjen e krimeve, si dhe pasojat shumë të rënda të ardhura nga kjo veprimtari kriminale. Pjesëtarë të një grupi kriminal në raste të ndryshme bashkëpunojnë me grupe të cilët janë kundërshtarë të njëri – tjetrit. Hetimi ka nxjerrë në pah se grupet kriminale ishin në gjendje të paguanin shuma të mëdha parash për vrasjen e personave të cilët ata i konsideronin si kundërshtarë. Mënyra e kryerjes së veprave penale tregon për një shkallë shumë të lartë organizimi dhe në këtë mënyrë edhe shkallë shumë të lartë rrezikshmërie shoqërore.

 

  • Në kuadër të këtij procedimi penal pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, me vendimin nr. 42 datë 17.05.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, janë caktuar masat e sigurimit personal të karakterit shtrëngues “arrest në burg” për 32 shtetas.

 

  • Po kështu me vendimin 18.05.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është autorizuar kontrolli i banesës dhe i vendeve në pronësi të 28 shtetasve.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!