Autoritetet italiane dhe ato shqiptare goditën një grup të trafikut të drogës, që përbëhej në shumicën e tij nga shqiptarë. Operacioni i përbashkët i Prokurorisë së Breshias dhe i SPAK u krye në Itali dhe Shqipëri, pas një hetimi 5 vjeçar për aktivitetin e grupit kriminal.
Në Shqipëri u vunë në pranga tre persona të dyshuar si pjesë këtij grupi trafiku ndërkombëtar droge. Të arrestuarit janë Asti Llupi, Erald Salla e Altin Shehaj.
Ndërkaq, tre të tjerë janë në kërkim.
Gjykata e Breshias ka nxjerrë në total 24 masa sigurie, ndërsa në Itali janë vënë në pranga 10 persona.
Sipas SPAK, grupi i strukturuar kriminal dyshohet se ka importuar lëndë narkotike nga Amerika e Jugut drejt veriut të Europës, e më pas e ka transportuar me automjete të tonazhit të rëndë drejt Italisë.
Autoritetet italiane kanë sekuestruar një sasi shumë të madhe kokaine, mbi 1300 kilogramë. Pasi hynte në territorin italian, kjo sasi dyshohet se shpërndahej në gjashtë baza logjistike operative të ngritura nga grupi kriminal në zona të ndryshme të Italisë.
Gjatë operacionit janë sekuestruar gjithashtu 550 mijë euro cash, 10 automjete, një pistoletë, si dhe 130 kilogramë të tjera lëndë narkotike, kokainë dhe heroinë, të cilat në treg do të kishin një vlerë prej rreth 12 milionë eurosh./abcnews.al

