Operacionet anti kanabis në Shkodër, Hodaj: Janë asgjësuar më shumë se 100 mijë rrënjë kanabis, 71 autorë të proceduar

schedule10:25 - 29 Shtator, 2023

schedule 10:25 - 29 Shtator, 2023

Në konferencën për mediat paraditen e sotme, Drejtori i Policisë së Shkodrës, Ervion Hodaj, përveç ngjarjeve të fundit kriminale, ka folur edhe për operacionet anti – Kanabis.

Hodaj u shpreh se ky fenomen po luftohet dhe deri më tani, janë gjetur dhe asgjësuar rreth 200 mijë bimë kanabis, e janë proceduar penalisht 71 autorë.

Krahas punës për parandalimin e ngjarjeve kriminale, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër vijojnë megaoperacionin antikanabis “Alpe të pastra”, për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, për të cilin janë angazhuar qindra shërbime policore të DVP Shkodër, të FNSH-së dhe të Repartit Special “RENEA”, si dhe dhjetëra dronë të cilësisë së lartë.

Theksoj faktin se gjatë këtij viti, ky fenomen ka pësuar goditje sasiore dhe cilësore, jo vetëm nëpërmjet operacionit të koduar “Alpe të pastra”, por dhe nëpëmjet goditjeve që në gjenezë, në fazën e tentativës për kultivim të fidanëve në kubikë.

Falë këtij përkushtimi, deri tani janë gjetur dhe asgjësuar 196 742 bimë dhe fidanë kanabisi, 41 883 prej tyre fidanë në kubikë, duke i shkaktuar ekonomisë kriminale, një dëm prej miliona eurosh.

Janë referuar 132 raste kultivimi, me 71 autorë të proceduar penalisht. Aktualisht po vijon faza finale e kontrollit të territorit” u shpreh Drejtori i Policisë së Shkodrës.r.t/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!