Operacion nga ajri për të arrestuar shqiptarin në Itali: Si u kap anëtari i bandës kriminale

schedule11:22 - 20 Dhjetor, 2019

schedule 11:22 - 20 Dhjetor, 2019

Policia e Bolonjës ka vënë në pranga 35 vjeçarin shqiptar me inicialet C.F, i cili ishte shpallur në kërkim për trafik ndërkombëtar droge si dhe ishte anëtar i një bande kriminale shqiptare që merrej me trafikun e drogës. Ndërkohë është shpallur në kërkim dhe një 49 vjeçar shqiptar, pronar i shtëpisë ku qendronte i fshehur 35-vjeçari i arrestuar.

Sipas informacioneve të marra policia zbuloi se shqiptari fshihej në kodrat e San Leo. Ai ishte shpallur në kërkim që në maj të 2018-ës. Urdhëri për arrestimi e tij erdhi pas përfundimit të operacionit “Fluturimi i lirë”, i nisur që në shtator të 2015-ës, duke sjellë arrestimin e 7 shqiptarëve në zonën e Bolonjës.

Agjentët e policisë, u mbështetën dhe nga një helikopter në operacionin për arrestimin e shqiptarit në mënyrë që të bllokonin të gjitha mundësitë e tij për arratisje. Monitorimi i lëvizjeve të tij nga toka, ka zgjatur disa ditë. Agjentët e policisë ndërhynë në orët e para të mëngjesit ndërsa 35 vjeçari ishte ende në gjumë.

Në banesë u gjetën 26 gramë kokainë, një peshore elektronike si dhe një kartë identiteti dhe një patentë false të lëshuara nga autoritetet greke./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!