Policia e Shkodrës ka zbuluar një tunel në lagjen “Skënderbeg” ku dyshohet se përdorej nga një grup kriminal për të fshehur lëndë narkotike. Gjatë kontrollit në këtë tunel, blutë e Shkodrës kanë gjetur dhe sekuestruar 65.5 kilogramë marijuanë të përpunuar në formë çokollate.
Në vijim të operacionit në brendësi të një furgoni të parkuar afër të këtij ambienti, u gjetën dhe u sekuestruan 31.5 kilogramë kanabis në formë boçe dhe një sasi municioni luftarak.
“Në momentin e ndërhyrjes nuk janë konstatuar personat e dyshuar por nga hetimet paraprake është bërë shpallja në kërkim e dy shtetasve si autorë të dyshuar të këtij rasti dhe konkretisht shtetasit N. M., 42 vjeç dhe B. M., 37 vjeç, lindur në fshatin “Ura e Shtrenjtë” dhe banues në Shkodër, për të cilët vijon puna për kapjen e tyre”.
Mes të tjerash drejtori I Policisë së Shkodrës Edmond Sulaj, u shpreh se prej më shumë se një jave ka nisur operacioni “Territor i Pastër”, ku janë evidentuar 11 rasteve të kultivimit të kanabisit në Shkodër. Nga këto aksione janë asgjësuar 19300 fidanë kanabis dhe janë sekuestruar mbi 2 mijë fara kanabisi.