Një operacion i përbashkët antidrogë është zhvilluar në Shqipëri, Itali dhe Spanjë, ku 27 persona janë arrestuar.
Mes tyre janë edhe 3 shqiptarë, të cilët janë vënë në pranga në qytetin e Vlorës.
Hetimet e përbashkëta identifikuan dhe një tjetër pjesëtar të grupit, i cili aktualisht po vuan dënim në IEVP Rrogozhinë.
Të katër këta persona, akuzohen në kuadër të një procedimi penal të iniciuar nga Prokuroria e Romës, se në vitin 2019, të organizuar si grup i strukturuar kriminal, kanë trafikuar në Itali kryesisht në Romë, lëndë narkotike Cannabis Sativa.
Operacioni në Shqipëri u finalizua nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, si dhe në koordinim me homologët italianë, me Zyrën e Interforcës Italiane në Shqipëri, Karabinierinë e Romës, Parioli, dhe me Drejtorinë e Interpolit.

