Policia e Lezhës ka finalizuar fazën e nëntë të megaoperacionit antidrogë të koduar “Imazhi”. Gjatë kësaj faze, policia asgjësoi 2583 bimë narkotike cannabis sativa, të cilat u gjetën të kultivuara në mini sera dhe në tokë, në fshatra të ndryshëm të Kurbinit dhe Lezhës.
2215 bimë narkotike cannabis sativa u zbuluan në një zonë të pyllëzuar të fshatit Skuraj, 337 bimë narkotike cannabis sativa u gjetën në fshatrat Fushë Kuqe dhe Gërnac ndërsa 31 bimë u zbuluan në fshatin Kolsh. Bimët narkotike u asgjësuan me anë të djegies.
Gjatë 8 fazave të mëparshme të këtij megaoperacioni, në fshatra të ndryshme të qarkut, u asgjësuan në total 12.196 fidanë dhe bimë narkotikë, si dhe u vunë në pranga 3 shtetas dhe u shpall në kërkim 1 tjetër, autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale./abcnews.al