“Opera me koncesion?” Margariti: Citim i cunguar, do rrisim aftësinë për të gjeneruar të ardhura

schedule18:58 - 30 Shtator, 2020

schedule 18:58 - 30 Shtator, 2020

Teatri i Operas dhe Baletit ka potencial për të ardhur në të tjera nivele të thithjes apo gjenerimit të të ardhurave për këtë arsye mund të ketë një nevojë për një “dalje” nga varësia totale e shtetit.

Kështu u shpreh ministrja e Kulturës Elva Margariti, e ftuar në Abc News, në lidhje me debatin e bërë së fundi sa i përket “dhënies me koncesion” të TKOB.

Sipas ministres kemi të bëjmë me një citim të cunguar të saj nga ana e gazetarëve ndërsa shtoi se gjitha ka të bëjë me aftësinë që ky institucion ka për të gjeneruar të ardhura.

Lexo edhe: BE, 40 milion euro për dëmet nga tërmeti në trashëgimi, Margariti: Shkojmë përtej restaurimit

“TKOB ka potencial për të ardhur në të tjera nivele për thithje të të ardhurave. Numrat tregojnë se menaxhimi edhe në një kohë të vështirë si pandemia kane qenë të ardhura në rritje. Performance në rritje…Nëse rishikojmë disa parametra ekonomikë, na krijohet një facilitet për më shumë buxhet.”

Për këtë, sipas ministres, ka nevojë për një ndërhyrje ligjore ndërsa shtoi se po bëhet një rishikim tarifash sa i përket biletave të cilat sipas saj deri më tani kanë qenë me çmime simbolike. Po ashtu, po shihet mundësia që Teatri Kombëtar të mos kthejë para në buxhetin e shtetit.

E pyetur nëse do të ketë partnerë privatë, Margariti u shpreh se prania e disa kompanive si ato të marketimit dhe jo vetëm mund të jetë e nevojshme. Këto kompani sipas saj mund të paguhen nga të ardhurat e shtuara të teatrit apo edhe donatorë.

Ndërsa, sa i përket çështjes së menaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit, Margariti u shpreh se ministria është ende në fazën e parë të diskutimeve.

Margariti sqaroi se nuk do të ketë ndërtim të një hoteli, do të ndërtohet një qendër vizitorësh, jashtë zonës së Parkut për t’i pritur këta të fundit siç duhet. Ministrja theksoi se kemi të bëjmë me një formulë të njëjtë me atë ekzistuese, dhe se paratë mbeten brenda Butrintit dhe se nuk shkojnë në xhepin e privatit. s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!