Kompania OpenAI, krijuese e ChatGPT, thuhet se po punon në zhvillimin e pajisjes së saj të parë hardware – altoparlant inteligjent që pritet të dalë në treg në fillim të vitit 2027.
Ky altoparlant është pjesë e një plani më të gjerë të kompanisë për të hyrë në tregun e elektronikës për konsumatorë me një familje pajisjesh të fuqizuara nga inteligjenca artificiale.
Sipas raportit të publikuar nga The Information, OpenAI ka angazhuar mbi 200 ekspertë për zhvillimin e këtyre pajisjeve. Një rol kyç në projekt ka dizajneri i famshëm, Jony Ive, ish-shef dizajni në Apple, i cili përmes kompanisë së tij, LoveFrom po punon për identitetin vizual të altoparlantit.
Karakteristikat kryesore:
Altoparlanti ka një kamerë të integruar, e cila do t’ia mundësojë të “shikojë” dhe të kuptojë mjedisin e përdoruesit.
Pritet të përdorë teknologji të ngjashme me Face ID të Apple për identifikimin e fytyrës, që mund të përdoret edhe për blerje apo personalizim të përgjigjeve.


