Onana “mëson” nga Emi Martinez, rregulli që pak njihej në futboll

schedule22:36 - 21 Prill, 2024

schedule 22:36 - 21 Prill, 2024

Andre Onana mori kartonin e dytë të verdhë gjatë goditjeve të penalltive në gjysmëfinalen e FA Cup mes Manchester United dhe Coventry, por ai nuk u përjashtua. Portieri kamerunas u paralajmërua fillimisht në minutën e 85-të për vonesë loje, kur Coventry po përpiqej të barazonte ndeshjen, teksa rezultati ishte 3 me 2.

Ai u ndëshkua gjithashtu në momentin e ekzekutimit të penalltive për shkak të debatit me gjyqtarin Robert Jones, mirëpo rregulli 10.3 i IFAB thotë se kartonët e verdhë të marrë gjatë ndeshjes nuk merren në konsideratë te penalltitë. Kjo do të thotë gjithashtu se Onana nuk do të pezullohet për finalen e FA Cup kundër rivalëve të Manchester City, më 25 maj.

I njëjti rregull mori pak më shumë vëmendje kur Emiliano Martinez nuk u përjashtua gjatë fitores së Aston Villas në Europa Conference League ndaj Lille, pavarësisht se u ndëshkua me karton gjatë lojës dhe te penalltitë, teksa asokohet Martinez tha pas ndeshjes, se ka të bëjë me “reputacionin”.

“Ka të bëjë me reputacionin, sepse portieri tjetër po bënte saktësisht të njëjtën gjë, humbiste kohë gjatë kohës së rregullt. Mora një të verdhë pas 30 minutash dhe ne po humbnim ndeshjen, kështu që nuk e di se çfarë kërkon arbitri nga unë. Pastaj nuk kishte asnjë top në pikën e penalltisë gjatë gjuajtjes. Unë kërkova një top nga djali i topit dhe jam ndëshkuar. Unë thjesht nuk i kuptoj rregullat”,- u shpreh argjentinasi. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!