Olsian Çela i kërkoi ILD-së ta hetojë, prokurori i Pogradecit: Ka firmosur pa lexuar

schedule13:09 - 2 Nëntor, 2020

schedule 13:09 - 2 Nëntor, 2020

Pas kërkesës së Prokurorit të Përgjithshëm drejtuar Inspektorit të lartë të drejtësisë Artur Metani, të cilit i kërkohet të nis hetimet për sjelljen e magjistratit, Prokuror në qytetin e Pogradecit, Shkëlqim Kokona, ky i fundit ka reaguar duke bërë një deklaratë për mediat.

Në reagimin e tij Kokona shprehet se akuzat ndaj tij janë bërë me qëllim pasi ka arrestuar në tre muajt e fundit një person, i cili bashkëpunon me avokatin Përparim Sanxhaku, që sipas prokurorit ky i fundit ka “klanin” e tij në Pogradec.

Kokona shton se ka besim te Prokurori i Përgjithshëm dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë ndërsa thekson se materiali kundër tij nuk është lexuar nga Olsjan Çela për shkak të ngarkesës në punë.

“Figura ime, jam prej 40 vitesh jurist që i shërben shtetit shqiptar dhe jam në vitin e fundit për pension pleqërie.

Prej 5 vitesh,  për shkak të dy të sëmurëve mendor, ish-presidentit dhe ish-prokurorit të përgjithshëm, njëri prej tyre me diagnozë epileptike ose iditosi i surgjynosur në Pogradec. Inkurajoj Prokurorin e Përgjithshëm në kryerjen e detyrës me ekzigjencë për rastin tim. Me bindje them se materialin e ka firmosur pa e lexuar fare për shkak të ngarkesës së punë që ka.

E gjitha është aferë kriminale e prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme që ka përgatitur materialin dhe Venusit të Sigurimit të Shtetit dhe aktualisht anëtar i KLP dhe avokatit, mikut tim Përparim Sanxhaku. Ky person është kreu i krimit të organizuar në drejtësi.

Për 30 vjet ka manipuluar duke nxjerrë nga burgu vrasës dhe kriminelë dhe duke bërë rolin e sekserit për të gjithë gjyqtarët e lartë dhe prokurorët e përjashtuar nga vettingu. I bëj thirrje shefit të SPAK të tërheqë si bashkëpunëtor i drejtësisë zotin Sanxhaku, që të zbardhë të vërtetën e krimit të organizuar në drejtësi, dhe të realizojë premtimin që kryeministri i ka dhënë popullit për prangosjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve të implikuar në korrupsion.

Pogradeci është lagje e Tiranës dhe Sanxhaku ka klanin e tij me të cilin vendos për gjithçka. Tre muajt e fundit një ish klient i tij me uniformën e policisë së shtetit, që ka lyer duart me gjak është arrestuar nga unë. Sanxhaku me Venusin po kundërveprojnë duke vënë në lojë figurën e Prokurorit të Përgjithshëm, kjo është shumë e rëndë për shtetin ndaj kjo është arsyeja që po reagoj. I bëj thirrje z. Artur Metanit të veprojë me ekzigjencë dhe mos lërë kusur pa më bërë mua.

Unë po sulmohem, rasti im është rast idiot, pretendohet se unë paskam bërë shkelje etike, nuk flitet për krim dhe këtë e ka sqaruar Prokurori i Përgjithshëm. Me figurën e Prokurorit të Përgjithshëm nuk ngacmohem se kam 40 vjet që i shërbej shtetit. Jam i bindur që Prokurori i Përgjithshëm nuk e ka lexuar fare materialin.

Të gjitha këto që thashë janë për të vënë në dukje ku ka arritur shkalla e manipulimit të shtetit shqiptar”, u shpreh Kokona.

Shkëlqim Kokona ushtron detyrë e prokurorit në Pogradec, ndërkohë kryeprokurori Olsjan Çela ka kërkuar që ndaj tij të kryhen verifikime deri në shkarkim për shkak se ka cenuar integritetin e magjistratit.

n.d./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!