Partia Demokratike ka reaguar pas emërimit të Olsian Bistros në krye të drejtorisë së Policisë Lezhë. Në një deklaratë për mediat, nga Selia Blu shprehen se me këtë emërim qeveria Rama po legjitimon, sipas tyre, vjedhjen e zgjedhjeve.
Sipas PD, “shërbimet korruptive të gjyqësorit ndaj Edi Ramës” nuk do ta ndalojnë Partinë Demokratike që të denoncojë përfshirjen e drejtuesve të Policisë së Shtetit në trafikun e lëndëve narkotike dhe shitblerjen e votave.
REAGIMI I PARTISË DEMOKRATIKE
“Gjyqtarët e korruptuar, si Bedri Qori, i dhanë sot Edi Ramës të drejtën për të përdorur policë të perfshirë në trafikun e drogës, si Olsian Bistro, për të legjitimuar vjedhjen e zgjedhjeve.
Në vend të ndëshkimit të atyre që morën pjesë në masakrën zgjedhore të 25 Prillit, gjyqtari nën presionin e vetingut dënoi për shpifje përfaqësuesit e PD në KQZ dhe atyre në Gjirokastër, që denoncuan përfshirjen e policisë në masakrën zgjedhore. Vendimi i padrejtë i gjyqtarit me pasuri të pajustifikuara iu nënshtrua presionit të pushtetit për të mbrojtur një polic të rangut të lartë, që bëri fushatë në Gjirokastër për Ministrin e Brendshëm dhe u shpërblye tani me postin e drejtorit të Policisë në Lezhë.
Nuk është shpifje që Olsian Bistro është i përfshirë në trafikun e drogës, gjatë kohës kur drejtonte Komisariatin e Pogradecit. Ky informacion i përket Shërbimit Informativ Shtetëror, që e identifikoi Olsian Bistron në listën e 128 policëve të përfshirë në trafikun e drogës në 2016-ën.
Shërbimet korruptive të gjyqësorit ndaj Edi Ramës nuk do ta ndalojnë Partinë Demokratike që të denoncojë përfshirjen e drejtuesve të Policisë së Shtetit në trafikun e lëndëve narkotike dhe shitblerjen e votave. Veglat e Edi Ramës në Gjykatë dhe në Polici nuk mund të shuajnë zërin e përfaqësuesve të PD kundër çdo akti kriminal dhe çdo vendimi korruptiv që minon demokracinë.” /abcnews.al/


