Olsi Rama: Partizani nuk duhet të bëjë viktimën

schedule22:54 - 6 Maj, 2019

schedule 22:54 - 6 Maj, 2019

Për drejtorin e përgjithshëm, Olsi Rama, Partizani nuk duhet të bëjë viktimën për sa i përket vendimeve të arbitrave. I ftuar në emisionin “Pressing”, ai u shpreh se edhe ata mund të bëjnë gabime, por ‘”të kuqtë” janë një skuadër e madhe dhe duhet të vazhdojnë përpara.

“Partizani është një emër i madh. Duhet të dijë si të sillet si një ekip i madh. Partizani nuk duhet të bëjë viktimën. Arbitrat janë njerëz të zakonshëm që padiskutim në punën e tyre do bëjnë edhe gabime. Sidomos në kushtet ku punojnë. Gabimet janë pjesë. Edhe ne bëjmë gabime. Thjesht duhet të mësojmë dhe të ecim përpara”, tha Rama.

Nëse ka një model këto vitet e fundit është padyshim Skënderbeu. Por Olsi Rama shprehet se ambicia e Partizanit është të tejkalojë arritjet e korçarëve.

“Skënderbeu në vitet e fundit ka qenë model pune. Ditën të ndërtojnë me kujdes, me kohën që patën në dispozicion një ekip që arriti ato rezultate. Është një shembull për t’u marrë. Ambicia e Partizanit duhet të jetë të tejkalojë ato që arriti Skënderbeu”, tha Olsi Rama.

Për të krijuar një skuadër kompetitive dhe të shëndoshë nga ana financiare, Partizani ka një detyrë sipas Olsi Ramës. E rëndësishme për të është përfundimi i ndërtimit të kompleksit.

“Akademia e Partizanit do jetë pastaj burimi i lojtarëve. Duke qenë një emër i madh, duke pasur një traditë fitimi në kampionat është kollaj të tërheqësh talentet nga i gjithë rajoni, jo vetëm nga Shqipëria”, tha Rama./abcnews.al