Zonja e Parë e Ukrainës Olena Zelenska u tregoi të mërkurën ligjvënësve amerikanë fotografi të viktimave të luftës në vendin e saj, duke e shoqëruar me një apel emocional për furnizimin e Ukrainës me më shumë sistemeve të mbrojtjes nga raketat, për t’i bërë ballë sulmeve të Moskës.
Zonja Zelenska, bashkëshortja e parë e një udhëheqësi të huaj që mban fjalim në Kongres, tregoi një fotografi të një vajzë të vogël, të quajtur Liza, e cila u vra gjatë një sulmi me raketa në fillim të këtij muaji në Vinnytsia, Evës 5-vjeçare, trupi i së cilës u gjet nën rrënojat e një ndërtese të shkatërruar, si dhe një të mbijetuari të Holokaustit të vrarë në Kiev.
“Dua t’u drejtohem jo si zonjë e parë, por si vajzë dhe nënë”, tha zonja Zelenska. “Pavarësisht se çfarë pozicionesh dhe titujsh arrijmë të mbajmë gjatë jetës tonë, para së gjithash jemi anëtarë të një familjeje“.
Ajo tha se zonjat e para zakonisht “angazhohen në çështje që lidhen me paqen”.
“Por si mund të flas për paqe kur një luftë e paprovokuar, terroriste e me qëllime pushtuese, po zhvillohet kundër vendit tim?! Rusia po shkatërron popullin tonë”, tha ajo.
“Unë po kërkoj armë. Armë që nuk do të përdoren për të bërë luftë në tokën e dikujt tjetër, por për të mbrojtur shtëpitë tona, e të drejtën për të krijuar një jetë në vendin tonë”, tha zonja Zelenska. “Po kërkoj sisteme të mbrojtjes nga raketat në mënyrë që ato të mos vrasin fëmijë apo familje të tëra. Dua që çdo nënë e baba të bjerë në shtrat i qetë”, tha ajo.
Zonja Zelenska ndodhet prej tre ditësh në Uashington. Të martën ajo u takua me Zonjën e Parë amerikane Jill Biden në Shtëpinë e Bardhë ndërsa të hënën me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken.
Dy zonjat e para janë takuar për herë të fundit gjatë vizitës së paparalajmëruar të Jill Biden në Ukrainën perëndimore në muajin maj. Ato vizituan një shkollë dhe iu bashkuan një grupi fëmijësh që po përgatisnin dhurata me rastin e Ditës së Nënës.
Presidenti Joe Biden i dhuroi zonjës së parë ukrainase një buqetë me lule në ngjyrat e flamurit ukrainas.
Shtëpia e Bardhë tha se zonja Zelenska po viziton Uashingtonin “për të nënvizuar koston njerëzore të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës”. Zonjat e para diskutuan mbi “mbështetjen e vazhdueshme të Uashingtonit për qeverinë e Ukrainës si dhe popullin e saj”. /VOA