OKB thirrje Hong Kongut: Konsultime të gjera për ligjin e ekstradimit

schedule23:30 - 24 Qershor, 2019

schedule 23:30 - 24 Qershor, 2019

Kombet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Hong Kongut që të tregojë maturi në lidhje me ligjin e ekstradimit, duke i sugjeruar konsultime me aktorët ndërkombëtarë. Ndërkohë, aktivistët e të drejtave të njeriut në rajonin autonom të Kinës kanë paralajmëruar sërish protesta.

Komisionerja e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, Mishel Baçelet u bëri thirrje autoriteteve në Hong Kong që të zhvillojnë konsultime të gjera përpara se të miratojnë ligjin e ekstradimit, që shkaktoi protesta masive në rajonin autonom të Kinës.

Manifestimet ndaj projektligjit futën në krizë qytetin, duke i hapur sfidën më të fortë presidentit kinez Xi Jinping që nga marrja e pushtetit në vitin 2012. Guvernatorja e Hong Kongut, Kerri Lam e pezulloi përkohësisht draftin që do t’i lejonte ish-kolonisë britanike të ekstradonte në Kinën mëmë disidentët politikë.

Por aktivistët kanë bërë thirrje për anulimin tërësor të tij dhe kanë paralajmëruar protesta të reja së shpejti.

“Inkurajoj autoritetet që të konsultohen gjerësisht përpara se të miratojnë këtë apo çfarëdo ligji tjetër”, deklaroi Baçelet në Këshillin e OKB për të drejtat e njeriut, që nisi të hënën sesionin trejavor.

Baçelet tha se do të vazhdojë të ngrejë edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me Kinën, siç është ajo e komunitetit ujgur. Ekspertët e OKB-së deklarojnë se rreth 1 milionë ujgurë mbahen në qendra burgimi në provincën Xinjiang të Kinës.

Nga ana e tij, Pekini, që është vend anëtar i forumit 47-anëtarësh, është i prirur të mos i aprovojë këshillat dhe sugjerimet./ABC News Albania 24/7