Komiteti i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut vendosi se Holanda ka shkelur të drejtën e fëmijëve për të marrë një shtetësi dhe urdhëroi Hagën të ndryshojë legjislacionin e saj për fëmijët me “kombësi të panjohur”.
“Duke regjistruar një fëmijë në regjistrin e gjendjes civile si me “kombësi të panjohur”, autoritetet holandeze e privojnë atë nga aftësia për të kërkuar statusin e fëmijës pa shtetësi dhe, si rrjedhojë, për të përfituar nga masat ndërkombëtare të mbrojtjes që e shoqërojnë këtë status”, konsideroi Komiteti në një deklaratë.
“Shtetet kanë përgjegjësinë të sigurojnë që fëmijët pa shtetësi, të cilët varen prej tyre dhe nuk kanë mundësi të pretendojnë një shtetësi tjetër, të mos e gjejnë veten pa ndonjë mbrojtje ligjore”, theksoi Shuichi Furuya, anëtar i Komitetit, i cituar në njoftimin për shtyp.
Sipas Zyrës holandeze të Statistikave, që nga 16 shtatori 2016, 13 169 fëmijë nën moshën 10 vjeç, shumë prej tyre të lindur në Holandë, jetojnë në këtë vend me statusin “kombësi e panjohur”./abcnews.al