Zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut ka deklaruar se pushtimi rus i Ukrainës ka shkaktuar një situatë të tmerrshme të të drejtave të njeriut dhe ka çuar në një gamë të gjerë shkeljesh të të drejtave, duke përfshirë vrasjet dhe torturat, që mund të përbëjnë krime lufte, shkruan The Guardian.
Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), shprehu në një raport shqetësimin për torturat dhe keqtrajtimin e të burgosurve nga forcat ruse dhe grupet e armatosura të lidhura me to, por tha se kishte pasur shkelje të të drejtave nga të dyja palët.
OHCHR tha gjithashtu se ishte “shumë e shqetësuar” për “rreziqet e mëdha” të paraqitura nga luftimet pranë ose në termocentralet bërthamore dhe bëri thirrje për hapa të menjëhershëm për çmilitarizimin e centralit bërthamor të Zaporizhzhia të pushtuar nga forcat ruse.
OHCHR tha se po vazhdonte të dokumentonte dhe verifikonte pretendimet për vrasje të paligjshme të qindra civilëve nga forcat e armatosura ruse në rajonet e Kievit, Sumy dhe Kharkiv.
Gjithashtu tha se kishte dokumentuar të paktën gjashtë vrasje të civilëve të akuzuar si tradhtarë për bashkëpunim të dyshuar me Rusinë në zonat e pushtuara. OHCHR tha se shkeljet e supozuara përfshinin ekzekutime, tortura dhe keqtrajtime, dhunë seksuale, refuzim të ndihmës mjekësore, mungesë ushqimi dhe ujit dhe kanalizime të dobëta.
As Kievi dhe Moska nuk kanë dhënë asnjë koment në lidhje me raportin.
/abcnews.al