Koronavirusi ka sjellë pasoja të shumta në të gjithë botën. Së fundmi sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka paralajmëruar se koronavirusi do të sjellë një një emergjencë globale të ushqimit në të ardhmen.
“Sistemet tona të ushqimit janë duke dështuar, dhe pandemia me Covid-19 është duke përkeqësuar gjërat”, ka thënë Guterres.
Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar që më shumë se 820 milionë persona në gjithë botën janë të uritur, derisa 144 milionë fëmijë nën moshën pesëvjeçare nuk rriten si duhet. Gjithashtu Guterres ka paralajmëruar se rreth 49 milionë persona mund të përballen me varfëri ekstreme këtë vit për shkak të pandemisë.
“Nëse nuk merren hapa të menjëhershëm, është krejtësisht e qartë se do të ketë një emergjencë globale me ushqim në një të ardhme të afërt, e cila mund të ketë ndikim afatgjatë në qindra miliona fëmijë dhe të rritur”, është shprehur ai.
Guterres ka bërë thirrje për mbrojtje më të mirë të punëtorëve në sektorin e ushqimit, për më shumë mbështetje për prodhuesit e ushqimit dhe për shmangie të pengesave në zinxhirin e transportit, në mënyrë që të dërgohet ndihma humanitare tek ata që kanë nevojë./abcnews.al