Nënpresidenti amerikan thotë se Washingtoni po koordinon me vendet e rajonit dhe po mban kontakte të drejtpërdrejta me Huthit, pas marrjes nën kontroll të ishullit strategjik Mayun në Detin e Kuq.
Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, deklaroi të hënën se administrata amerikane ka zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me Huthit dhe se Washingtoni beson se situata në Detin e Kuq është nën kontroll.
Duke folur për gazetarët në Bazën e Përbashkët Andrews, përpara nisjes së tij drejt Kansasit, Vance u pyet lidhur me marrjen nën kontroll nga Huthit të ishullit strategjik Mayun, i njohur edhe si Perim, dhe për mënyrën se si SHBA-të planifikon të reagojë.
Vance tha se Washingtoni ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe aktorë të tjerë të prekur nga zhvillimet në rajon.
“Është diçka që administrata e Shteteve të Bashkuara e ka në dorë”, deklaroi ai, duke shtuar se SHBA-ja ka zhvilluar gjithashtu komunikime të drejtpërdrejta me Huthit.
Sipas nënpresidentit amerikan, situata mbetet shumë dinamike dhe mund të ndryshojë në mënyrë të vazhdueshme.
Ai theksoi se Washingtoni do të vijojë ta monitorojë situatën dhe do të sigurohet që interesat amerikane të mbrohen.
Deklaratat e Vance vijnë në një kohë tensionesh të shtuara në Jemen, ku luftimet mes forcave qeveritare dhe Huthive janë përshkallëzuar.
Në të njëjtën kohë, grupi i mbështetur nga Irani ka kryer sulme ndaj objekteve energjetike në Arabinë Saudite.
Marrja nën kontroll e ishullit Mayun, i cili ndodhet në një pozicion strategjik në hyrje të Detit të Kuq, ka shtuar shqetësimet për sigurinë dhe lundrimin në një prej korridoreve më të rëndësishme detare të rajonit.

