Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë të hartuar nga SHBA, e cila mbështet planin 20-pikësh të presidentit amerikan Donald Trump për Gazën.
Në plan parashikohet krijimi i një Forcë Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), ku sipas SHBA-së disa vende, ende të papublikuara kanë ofruar të kontribuojnë.
Rezoluta u mbështet nga 13 vende anëtare, mes tyre Britania, Franca dhe Somalia. Asnjë votë kundër nuk u regjistrua, ndërsa Rusia dhe Kina abstenuan. Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, e quajti miratimin “një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të armëpushimit”.
Hamas e refuzoi rezolutën, duke deklaruar se nuk i plotëson të drejtat dhe kërkesat e palestinezëve. Në një reagim në Telegram, grupi tha se plani “vendos një mekanizëm kujdestarie ndërkombëtare mbi Rripin e Gazës, të papranueshëm për popullin dhe fraksionet palestineze”.
Sipas Hamasit, caktimi i ISF-së me detyra brenda Gazës, përfshirë çarmatosjen e grupeve të rezistencës, “e heq neutralitetin e saj dhe e shndërron në palë të konfliktit në favor të pushtimit”.
Sipas rezolutës, ISF do të punojë me Izraelin, Egjiptin dhe një forcë të re policore palestineze, të trajnuar e të verifikuar ndërkombëtarisht, për të siguruar kufijtë dhe për të garantuar çarmatosjen e grupeve të armatosura jostatale, përfshirë Hamasin. Aktualisht, policia në Gazë funksionon nën autoritetin e Hamasit.
Ambasadori amerikan në OKB, Mike Waltz, tha se ISF do të ketë mandatin “të sigurojë zonën, të mbështesë çmilitarizimin e Gazës, të çmontojë infrastrukturën terroriste, të largojë armët dhe të garantojë sigurinë e civilëve palestinezë”.
Këshilli miratoi gjithashtu krijimin e një organi të përkohshëm qeverisës, Bordit të Paqes (BoP), i cili do të mbikëqyrë një komitet teknokratik palestinez, rindërtimin e Gazës dhe shpërndarjen e ndihmës humanitare. Fondet për rindërtimin, pas dy viteve luftë, do të administrohen nga një fond i posaçëm nën mbikëqyrjen e Bankës Botërore.
Edhe ISF, edhe BoP do të punojnë paralelisht me strukturat palestineze të koordinuara.
Trump e quajti votimin “historik”, duke thënë se ai përfaqëson “njohjen dhe mbështetjen” e BoP-it, anëtarët përfundimtarë të të cilit pritet të shpallen së shpejti. Ai pritet ta kryesojë këtë organ.
Ndryshe nga projekt-rezolutat e mëparshme, teksti i miratuar përmend një rrugë të besueshme drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze, një formulim që disa anëtarë të Këshillit e kishin kërkuar. Izraeli kundërshton fort krijimin e një shteti palestinez, duke e bërë të vështirë perspektivën e një zgjidhjeje përfundimtare.
Shtetet arabe ushtruan presion që vetëvendosja palestineze të përfshihej në tekst. Zëdhënësi i Guterresit theksoi se rezoluta duhet të shndërrohet “në hapa konkretë dhe urgjentë në terren” dhe të çojë në një proces politik drejt zgjidhjes me dy shtete.
SHBA, Autoriteti Palestinez (AP) dhe disa shtete me shumicë arabe e myslimane, mes tyre Egjipti, Arabia Saudite dhe Turqia, kërkuan miratimin e hershëm të rezolutës. AP deklaroi se kushtet e saj duhet të zbatohen “menjëherë”.
Rusia dhe Kina, megjithëse nuk përdorën veton, abstenuan. Të dyja kritikuan mungesën e qartësisë rreth përbërjes së mekanizmave të rinj, mospërfshirjen e drejtpërdrejtë të OKB-së dhe faktin që teksti nuk e riafirmon qartësisht angazhimin për zgjidhjen me dy shtete.
Faza e parë e planit, armëpushimi dhe shkëmbimi i pengjeve dhe të ndaluarve mes Izraelit dhe Hamasit, hyri në fuqi më 10 tetor. Waltz e përshkroi atë si “hapin e parë, shumë të brishtë”.
Plani i Trump-it ka pezulluar përplasjet pas luftës së ndezur nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023, në të cilin u vranë rreth 1.200 persona dhe u morën peng 251 të tjerë. Sipas ministrisë së shëndetësisë së drejtuar nga Hamas në Gaza, më shumë se 69.483 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite që prej asaj date./abcnews.al

