Vota pro për “Srebrenicën”/ Begaj: Shqipëria krah vlerave perëndimore. Hasani: 11 korriku, dita për të mos harruar gjenocidin

schedule19:25 - 23 Maj, 2024

schedule 19:25 - 23 Maj, 2024

Me votën pro dhe angazhimin e saj maksimal për të miratuar rezolutën e Asamblesë së përgjithshme të OKB-së, që njeh gjenocidin e Srebrenicës, Shqipëria rreshtohet krah vlerave e vendeve perëndimore.

Ishte ky reagimi i presidentit të republikës Bajram Begaj pas votimit të dokumentit në New York.

Kjo datë do të shërbejë si kambanë e përhershme për të përkujtuar dënimin e gjenocidit, që masakra të tilla të mos përsëriten më dhe njëkohësisht është edhe një përgjigje ndaj mohuesve të gjenocidit dhe krimeve të tilla të tmerrshme, shprehet kreu I Shtetit.

Edhe për ministrin e jashtëm Igli Hasani, Shqipëria bashkë-sponsorizoi dhe mbështeti këtë rezolute për të mos harruar gjenocidin e Srebrenicës si një nga faqet më të errëta në historinë e Ballkanit, Evropës dhe botës.

Çdo vit, 11 korriku do të jetë dita për të nderuar viktimat dhe për të mbështetur të mbijetuarit e gjenocidit në Bosnjë-Hercegovinë dhe kudo, dhe një kujtim i ashpër i tmerreve të së kaluarës, në mënyrë që ato të mos përsëriten në të ardhmen, shkruan ministri Hasani në rrjetet sociale.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi të enjten një rezolutë për përkujtimin e gjenocidit, të vitit 1995 në Srebrenicë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!