OKB jep alarmin: Rrezik nga sulmet e ISIS në 2019

schedule11:00 - 3 Gusht, 2019

schedule 11:00 - 3 Gusht, 2019

Evropa dhe mbarë bota rrezikojnë të goditen nga sulme të Shtetit Islamik gjatë pjesës së mbetur të vitit 2019. Alarmi jepet në një raport të OKB-së ku thuhet se pavarësisht goditjeve të marra, grupi terrorist ka në dispozicion 30 mijë luftëtarë.

Brenda fundit të vitit mund të verifikohen sulme të reja terroriste nga ana e Shtetit Islamik. Alarmi jepet në një raport të OKB-së bazuar në të dhënat e shërbimeve sekrete të vendeve anëtare, sipas të cilave janë rreth 30 mijë luftëtarë që mund të jenë ende gjallë dhe gati për t’u hedhur në veprim në të gjithë botën.

Në raportin prej 24 faqesh analizohet rreziku i atentateve për zonë gjeografike, por pa treguar objektiva të saktë. Në Evropë llogaritet të jenë rreth 6 mijë luftëtarët e nisur për në Siri dhe Irak. Një e treta e tyre janë vrarë, ndërsa pjesa tjetër ose ka mbetur e bllokuar në ndonjë rajon të vendit, ose është arratisur tjetërkund. Rreth 2 mijë llogaritet të jenë kthyer në Europë dhe kjo bën që kërcënimi ndaj kontinentit të vjetër të jetë i lartë.

Në raport thuhet më tej se, pavarësisht disfatave të shumta, liderët e rrjetit terrorist vazhdojnë të fshihen në Siri dhe Irak dhe mezi presin ditën kur të mund të urdhërojnë sulme ndaj objektivave në mbarë botën. “Lidershipi i ISIS synon t’u përshtatet ndryshimeve, të mbijetojë dhe të aktivizojë celulat e fjetura në nivel lokal e ndërkombëtar”, vijon më tej raporti. Kërkimi i OKB-së përqendrohet më pas në Afrikën Perëndimore, ku është regjistruar një rritje e ndjeshme e akteve të dhunës të kryera nga militantët islamikë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!