OKB-ja dhe Turqia kërkesë Rusisë për kthimin në marrëveshjen për drithëra

schedule19:31 - 31 Gusht, 2023

schedule 19:31 - 31 Gusht, 2023

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, i dërgoi një propozim ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në fillim të kësaj jave për ringjalljen e marrëveshjes së drithërave të Detit të Zi, i tha agjencisë së lajmeve Reuters më 31 gusht një diplomat rus, duke folur në kushte anonimiteti.

Diplomati, i cili e pa letrën, tha se në propozim nuk pati asgjë të re, por “përmblidheshin idetë e mëparshme të OKB-së, të cilat nuk u realizuan”, shkruan REL.

Po më 31 gusht, edhe ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, gjatë një vizite në Moskë tha se ringjallja e kësaj marrëveshje ishte “kritike” për sigurinë ushqimore.

“Ne theksuam rolin e saj kritik për sigurinë dhe stabilitetin global të ushqimit në Detin e Zi”, tha Fidan, gjatë një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij rus, Sergei Lavrov.

Fidan ishte në Moskë për të përgatitur një samit jozyrtar midis presidentit turk, Reccep Tayip Erdogan, dhe atij rus, Vladimir Putin, në qytetin turistik Soçi të Rusisë në Detin e Zi javën e ardhshme.

Rusia u tërhoq muajin e kaluar nga marrëveshja për drithëra e mbështetur nga OKB-ja, për të cilën Turqia ndihmoi ndërmjetësimin.

Si Ukraina, ashtu edhe Rusia që atëherë kanë vendosur plane për të filluar transportin e drithërave jashtë kornizës së marrëveshjes.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!