Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së tha të enjten se dëmi që COVID-19 ka bërë globalisht nuk do të zhbëhet vetëm nga një vaksinë dhe se një rimëkëmbje e plotë nga pandemia do të marrë vite, ndoshta dekada.
“Ndikimi social dhe ekonomik i pandemisë është jashtëzakonisht i madh dhe në rritje”, tha Antonio Guterres.
Një raport i OKB-së i lëshuar të enjten tha se rreth 32 milionë njerëz mund të vuajnë nga varfëria ekstreme këtë vit nga pandemia. OKB-ja është përpjekur të trajtojë pasojat, duke u dhënë ndihmë humanitare miliona njerëzve. Shefi i OKB-së gjithashtu ka bërë presion për miratimin e një pakete stimuluese me vlerë të paktën sa 10 përqindshi i PBB-së globale dhe për lehtësimin e borxhit për të gjitha vendet në nevojë.
Gati 80 krerë shtetesh po mbajnë fjalime në takimin dy ditor që po mbahet në internet, i cili do të përfshijë gjithashtu prezantime nga shkencëtarë, ekspertë dhe krerë të disa agjencive të OKB-së, përfshirë drejtorin e përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Numri global i vdekjeve nga koronavirusi ka arritur në mbi 1.5 milionë, ndërsa numri i rasteve ka arritur në mbi 65 milionë, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.
Shpërndarja e vaksinave të para të aprovuara kundër COVID-19 pritet të fillojë këtë muaj. Guterres ka bërë thirrje vazhdimisht për një qasje të barabartë tek vaksinat e kornoavirusit për të gjitha vendet.
Në fund të prillit, OBSH-ja, së bashku me partnerët publikë dhe privatë, filluan nismën ACT-Accelerator dhe COVAX për vaksinat. Nisma është e përqendruar në krijimin e kushteve për qasje të barabartë tek testet, trajtimet dhe vaksinat për të gjitha vendet e botës. /abcnews.al