Organizata e Kombeve të Bashkuara u ka kërkuar vendeve anëtare të riatdhesojnë fëmijët e bllokuar në kampin Al-Hol të Sirisë. Sipas shefit të antiterrorizmit të Kombeve të Bashkuara, Vladimir Voronkov, në kampin masiv në verilindje të Sirisë janë 27,000 fëmijë të bllokuar. Voronkov e quajti situatën në kamp të tmerrshme dhe një nga çështjet më të ngutshme në botë sot. Ai theksoi se 27,000 fëmijët kanë mbetur të bllokuar, të braktisur në fatin e tyre, dhe në rrezik radikalizimi brenda kampit. Voronkov gjithashtu shtoi se fëmijët në kampin Al Hol janë nga 60 vende dhe janë përgjegjësi e këtyre shteteve, jo e Sirisë ose grupeve kurde që kontrollojnë kampin.
Sipas shefit të anti terrorizmit, vetëm disa vende, përfshirë Rusinë dhe Kazakistanin kanë riatdhesuar në mënyrë kolektive gati 1.000 fëmijë dhe anëtarët e familjes së tyre.
Voronkov tha se këta fëmijë në kamp duhet të trajtohen kryesisht si viktima, dhe ata nën moshën 14 vjeç nuk duhet të ndalohen ose të ndiqen penalisht pas riatdhesimit. Ai theksoi se duhet bërë çdo përpjekje për të siguruar që fëmijët të mos mbahen në institucione por të lejohen të riintegrohen me anëtarët e familjes brenda komuniteteve të tyre.
Ndërsa, Virginia Gamba, përfaqësuesja speciale e KB për fëmijët dhe konfliktet e armatosura, i tha Këshillit të Sigurimit se shëndeti mendor, siguria dhe zhvillimi i përgjithshëm i fëmijëve të huaj të mbajtur për një kohë të gjatë në kampet në verilindje të Sirisë dhe Irakut janë në rrezik. Ajo specifikoi se fëmijet janë të ekspozuar ndaj traumave dhe stigmatizimit të mëtejshëm, dhe janë në rrezik për shkak të afërsisë së tyre me anëtarët e grupeve terroriste.
Al Hol, kampi më i madh i refugjatëve në Siri, strehon pothuajse 62,000 njerëz, sipas zyrtarëve të OKB. Më shumë se 80% e këtyre njerëzve janë gra dhe fëmijë, shumë prej të cilëve ndodhen atje pasi ISIS humbi bastionin e tij të fundit sirian në vitin 2019./abcnews.al