OKB apel Rusisë dhe Ukrainës që të hetojnë videot ku shfaqen të burgosurit e luftës që keqtrajtohen

schedule20:31 - 28 Mars, 2022

schedule 20:31 - 28 Mars, 2022

Kombet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Rusisë dhe Ukrainës që të nisin një hetim pasi u shfaqën video të të burgosurve të luftës që dyshohet se keqtrajtoheshin.

“Ne kemi parë video nga të dyja anët e të burgosurve të luftës ukrainas që janë marrë nga pala ruse dhe robërve rusë të luftës që janë marrë nga pala ukrainase,” tha kryetarja e Misionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Ukrainë, Matilda Bogner, në një konferencë të hënën.

Të dielën, u shfaq një video që tregon se ushtarët ukrainas qëllojnë në gjunjë burra të cilët me sa duket janë të burgosur rusë gjatë një operacioni në rajonin e Kharkiv. Gjatë videos gati gjashtë minutëshe, ushtarët dëgjohen duke thënë se ata kanë kapur një grup zbulimi rus që vepronte nga Olkhovka, një vendbanim në Kharkiv që është afërsisht 20 milje nga kufiri rus.

Gjatë videos, një grup ushtarësh rusë mund të shihet të shtrirë në tokë me të paktën dy nga këmbët e ushtarëve që rrjedhin shumë gjak. Një burrë dëgjohet duke bërtitur në rusisht “këmba ime, këmba ime”.

Duke folur në një intervistë të postuar në YouTube të dielën, këshilltari i lartë i presidentit ukrainas, Oleksiy Arestovych theksoi se qeveria ukrainase “po e merr këtë shumë seriozisht dhe do të kryejë një “hetim të menjëhershëm” për videon në fjalë.

OKB është ende “në procesin e verifikimit të të gjithë materialit që është lëshuar”, tha Bogner të hënën, duke shtuar se “ngre shqetësime serioze”. CNN ka kontaktuar zyrën e Bognerit për të komentuar mbi videon që supozohet se tregon ushtarë rusë me këmbë të gjakosura.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të të dyja palëve që të bëjnë hetime të plota për akuzat që ngrihen nga këto video,” tha Bogner.

“Është e rëndësishme që këto lloj videosh dhe që çdo keqtrajtim që mund të ndodhë të ndërpritet menjëherë,” vazhdoi ajo, duke shtuar se OKB-ja shpreson se këto hetime do të sigurojnë që çdo autor “të mbahet në përgjegjësi”.

Ajo u kujtoi të dy vendeve detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar humanitar dhe ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut për t’i trajtuar njerëzisht të burgosurit dhe për të siguruar që ata “të mos ekspozohen ndaj kuriozitetit publik dhe të trajtohen me dinjitet”.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!