OKB: Anijet e para me grurë ukrainas mund të nisen sot

schedule08:13 - 29 Korrik, 2022

schedule 08:13 - 29 Korrik, 2022

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se anijet e para të ngarkesave me grurë mund të largohen nga portet ukrainase në Detin e Zi që nga sot.

Koordinatori i OKB-së për ndihmën humanitare Martin Griffiths tha sot nga Nju Jorku se tashmë ka anije të ngarkuara gati për të lundruar.

Ai tha se aktualisht janë duke u finalizuar koordinatat e sakta të rrugës që duhet ndjekur, si pjesë e marrëveshjes ndërmjet Ukrainës, Rusisë, Turqisë dhe OKB-së.

Marrëveshja e nënshkruar të premten e kaluar në Stamboll për të rifilluar eksportet e grurit nga portet e Ukrainës lehtësoi shqetësimet rreth rrezikut të një krize globale ushqimore.

Ukraina u zotua të drejtojë anijet larg ujërave të minuara, ndërsa Rusia premtoi të mos synojë anijet dhe infrastrukturën specifike portuale.

Turqia dhe OKB do të ndihmojnë në koordinimin e eksporteve dhe monitorimin e ngarkesave për të siguruar që anijet të mos kontrabandojnë armë në zonën e luftës.

Me zbatimin e plotë të marrëveshjes, Griffiths vlerësoi se eksportet nga portet ukrainase do të arrinin gradualisht nivelet e 5 milionë tonëve në muaj, afërsisht sa ishin përpara fillimit të pushtimit rus.

Më shumë se 20 milionë tonë drithë nga korrja e vitit të kaluar mbeten ende të bllokuara, sipas Ukrainës, vendin që shumë e quajnë “hambari i Evropës”./abcnews.al/