Nga Akademik Artan Fuga
Vetëm një grua në lojë, mbretëresha!
Sot në mëngjes duke lexuar Ovidin, më shijoi kafja, shkrime të nja njëzet shekujve më parë, pra jo shumë larg, greko-romaku i mënçur më bindi, më hapi sytë, shahu më shumë është një lojë feministe, me qendër gruan!
Po që ka të drejtë!
Mbreti thotë Ovidi të gjithë lëvizjet i bën sepse është xheloz për mbretëreshën! Ka hall se mos ushtria kundërshtare i merr gruan! Për të sakrifikon ushtarë, bën të gjitha intrigat e fshehta, sulmon, mbrohet. Aty e ka mendjen. Iku mbretëresha si Helena e Trojës, vate mbretëria!
Mbreti mbaron nëse mbretëreshën ja marrin.
Mbreti i shkretë emrin ka të madh, por lëvizjet i ka të kufizuara, një hap rreth e rrotull fronit të vet. Gjithandej e kërcënojnë. Ajo që e mbron është mbretëresha! Ajo e ka dorën e gjatë. Sa në sulm sa në mbrojtje, godet larg si me shigjeta inati, hakmarrjeje. Me gjyle zjarri kërcënon mbretin kundërshtar.
Do ringjallet!
Mbretëresha e lidh në një dorë e shpirt ushtrinë e vet, mbreti është pak si budalla.
Ushtarët nuk kërkojnë gjë tjetër veçse të vdesin duke shkuar në vijën e fundit të ushtrisë armlike për të ngjallur mbretëreshën e martirizuar, vdesin për t’u ngjallur si mbretëreshë!
Cfarë vetëmohimi!
Ka të drejtë Ovidi, është lojë femrash, gjithë intrigat, fuqitë, dorën e gjatë, sa sulmin aq mbrojtjen, adhurimin e ushtrisë për një femër, ajo që e mban pushtetin e burrit të vet që nuk ka veçse emrin, ky është shahu, plot inate, hakmarrje, negocime, intriga të fshehta, traktativa, të gjitha punë femrash mbretëresha!
Prandaj Ovidi u bënte thirrje grave!!! Si ta përkthej nga latinishtja në tironse?
Luni luni shah mi gra!
Mbreti veç emrin ka!