OFL i dërgon formularin sportistit që u “rehabilitua” në politikë dhe anëtarit të grupit Bajri

schedule13:14 - 12 Qershor, 2020

schedule 13:14 - 12 Qershor, 2020

Denis Brajoviq dhe Erogen Brajoviq janë të shënjestruarit e radhës nga Operacioni Forca e Ligjit.

Ata janë të njohur për autoritetet si anëtar dhe bashkëpunëtor të grupit Bajri të dënuar për vepra penale të ndryshme.

“Erogen Brajoviq banues në Shkodër, për të cilin Gjykata e Lartë e Podgoricës, Mali i Zi, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Krijim i organizatës kriminale”, “Vrasja e mbetur në tentativë” dhe “Mbatja pa leje e armëve dhe eksplozivëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Malit të Zi

– Denis Brajoviq banues në Shkodër, nën hetim për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”, njofton Policia e Shtetit.

Denis Brajoviq i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” më Shkodrës është liruar nga gjykata e shkallës së parë në Tiranë rreth një vit më parë, duke u lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Erogen Brajoviç i njohur si ish-sportist dhe i angazhuar në politikë u arrestua gjatë operacionit të RENEAS në Shkodër. Ai është djali i ish-futbollistit të njohur të Vllaznisë dhe kombëtares shqiptare, Millan Vaso Brajoviç.

Sipas mediave malazeze, Erogen Brajoviç është i njohur si pjesë e grupit kriminal në vendin fqinj, i cili udhëhiqet nga Ranko Raduloviç nga Nikshiqi i Malit të Zi.

Ndaj tij ka pasur një aktakuzë si pjesë e këtij grupi kriminal të cilët kishin synim të vrisnin dy ish-oficerë të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë në Mal të Zi Dushko Goluboviç dhe Zoran Lazoviç, si dhe të oficerit të policisë Dushko Koprivica dhe djalit të tij Strahinja./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!