“Ke parë ti ndonjëherë t’i marrin Skënderbeut lojtarët dhe trajnerin pa vullnetin tonë?! Të dalë vendimi pozitiv dhe e shikoni mirë pastaj se çfarë ndodh”, thotë Ardjan Takaj, duke përcjellë një mesazh paralajmërues për ata që duan Ilir Dajën trajner. Kreu i klubit të Skënderbeut thekson se nuk mund t’u marrë askush lojtarë e trajnerë, në mes të garës.
“Nuk mendoj se në mes të garës do të na dalin pazarxhinj të mëdhenj dhe do të na marrin trajnerin apo lojtarët. Me sa shoh, nuk respektojnë as rregullat e lojës. Aty i kanë, le t’i marrin, por nuk shoh ndonjë blerës…
I fortë në futboll bëhesh duke paguar, jo duke biseduar me trajnerin dhe lojtarët e mi dhe duke bërë bujë në media. I fortë bëhesh kur paguan lekët. Prandaj është i fortë Reali dhe Barcelona. Këta po që mund të bëjnë të fortin. Këtu dalin në TV dhe mendojnë se kanë bërë pazar për merkaton”, shton Takaj për “Panorama Sport”.
“Unë nuk jam në dijeni se kush e ka kontaktuar. Dhe as kanë të drejtë ta bëjnë, sepse jemi në garë. Të mbarojë gara dhe të flasin sa të duan. Nëse vendimi del pozitiv, nuk ka burrë nëne që e merr Dajën. Aty do të qëndrojë Iliri, te Skënderbeu. Merkatoja nuk bëhet në media, sepse kush e do Dajën, duhet të jetë serioz. Këto lojëra nisën që para ndeshjes me Tiranën”, është shprehur Takaj mes të tjerash. /abcnews.al