TIRANË- Kryeministri dhe njëherësh kreu i Partia Socialiste, Edi Rama prezantoi në fundjavë programin për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 majit.
Disa nga pikat ku u ndal Rama ishin paga minimale 500 euro, pensionet minimale 200 euro, paketa e maleve deri tek përjashtimi nga tasat për bizneset e vogla si dhe plani për te mbështetur të gjithë ata që kthehen nga emigracioni.
Ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi e ftuar në “Money Report” theksoi se oferta e Partisë Socialiste ishte e pritshme.
Ajo analizoi dhe tipologjinë e kësaj oferte dhe target grupet, të cilat ndikohen nga këto masa,
“Ofertë ekonomike e pritshme pasi edhe ekspertët kanë dhënë disa kritika dhe vërejtje. Vëmendje është tek familjet shqiptare, te emigrantët, problemet demografike. Kanë vëmendjen pagat, paga mesatare dhe paga minimale”, theksoi ajo.
Ajo theksoi se në planin e Partisë Socialiste vihen re se ka një qëndrueshmëri të paktës fiskale, një kërkesë kjo e biznesit dhe institucioneve ndërkombëtare.
Sipas saj, planet për rritjen e pagave dhe pensioneve janë objektiva që nuk mund të realizohen në kohë të shkurtër pasi do të çonte në probleme të mëdha për ekonominë e vendit.
“Paketën fiskale e shohim se PS e ka të qëndrueshme pasi vetë biznesi dhe organizmat ndërkombëtarë kanë kërkuar një lloj qëndrueshmërie. Qeveria synon të luftojë evazionin fiskal. Ka vendosur ndihmë me grante dhe hua në disa sektorë. Ideja është që të zhvillohet biznesi dhe më pas ky biznes të ndikojë në rritjen e pagave. PD evidenton minimumin jetik 200 euro, ndërsa PS thotë se pensioni minimal do jetë 200 euro. Këto janë objektiva që nuk do realizohen në periudhë afatshkurtër. Do kërkonte më shumë kosto. Për një periudhë afatmesme, pas vitit të 3 psh, mund të ndodhte kjo. Rritja e pensioneve është objektiv afatgjatë”, tha ajo./abcnews.al