Opozita ka nisur filtrimet e para për kandidatin për kryebashkiak të Tiranës.
Gurin e parë e ka hedhur ish-demokrati Agron Shehaj, më i fituari mes humbësve i zgjedhjeve të 11 majit.
Në një video në rrjetet sociale, duke i folur vetvetes, me vetëkënaqësi thotë se nuk po propozon një ftesë, por një mundësi.
“Nëse gjithë opozita mbështet një kandidat jo partiak, dhe mundësisht jo politik që nuk përfaqëson vetëm partitë opozitare, kryetarët opozitarë, por votën opozitare, atëherë opozitë do të kishte shumë mundësi për të fituar Bashkinë e Tiranës. “
Por Sali Berisha, lideri i opozitës e ka dëgjuar këtë propozim. Vetëm se kërkon një sqarim.
“Nuk e kuptoj çdo të thotë kjo kandidat jo politik. Por jam dakord për kandidat për kryebashkiak të përbashkët të opozitës”
Askush tjetër nga opozita nuk flet. I vetmi qe është mërzitur deri tani del kryeballisti Adriatik Alimadhi. Mundësisë së një bashkëpunimi te ri Berisha-Shehaj, ai i vendos një tjetër emër.
“Filloi bashkëpunimi midis PD-së dhe partisë Mutësia. A kanë qenë bashkë dhe a do jenë bashkë në vazhdimësi? Qe një lojë, por PD kështu ka bërë gjithmonë, si mendoni? PD-ja ka lëshuar tek-tuk ndonjë individ për të krijuar parti dhe pastaj përmes këtyre lojërave gjithmonë PD-ja nuk e ka konsoliduar ideologjinë e saj, por ka avancuar majtas. “
Aleati Alimadhi është i vetmi që ka mbetur i mërzitur nga të dy. Nga Berisha, sepse humbja e mandatit të katërt në Vlorë, i dogji fondet Partise Ballit Kombëtar, kurse Shehaj me financimet për promovimin e Mithat Frashërit i ka marrë edhe idhtarët e Ballit.
Por, doktor Berisha e ka hedhur një gjysmë hapi drejt bashkëpunimit me ish deputetin e tij.
Burime për Abc News thanë se nuk ka asnjë negociatë deri më tani me Agron Shehajn apo parti të tjera, sepse Shehaj konsiderohet ende si rival.
Përpara është rinumërimi në Tiranë, që do të ndajë mandatin e fundit, atë që Shehaj ia mori PD, por demokratët duan t’ia rikthejnë Alimehmetit.
Marrëdhëniet mes dy doktorëve javët e fundit nuk janë të mira, por në korridoret e selisë blu qarkullon emri i Alimehmetit si kandidat për Bashkinë, në këmbim të 18 mijë votave të marra në Tiranë, por që nuk i prodhuan mandat.
Ftesa e Shehajt është thirrje e pastër. Ai kërkon të mbajë mandatin e dytë në Tiranë, dhe në këmbim ofron mbështetje për kandidatin jopolitik të PD në Tiranë, doktorin e ri. Por i zoti i punës, Alimehmeti thotë se nuk tërhiqet nga rinumërimi. Ai do të respektojë shifrat, por të tjerët duhet të respektojnë durimin e tij./abcnews.al