Oferta e Ramës për kryedemokratin Lulzim Basha për bashkëqeverisje pas 25 Prillit, nuk mbështetet nga deputeti socialist Fatmir Xhafaj. Në studion e emisionit “Log.” në ABC, Xhafaj deklaroi se PS i ka votat për të qeverisur vetëm duke shtuar se tashmë nuk është çështja nëse socialistët do fitojnë por sa mandate do marrin.
“Oferta për Bashën ishte një ofertë normale. Personalisht nuk e mbështesja një bashkëqeverisje PS-PD. Nëse nuk i kemi votat? Ne i kemi votat. Çështja tani është vetëm sa vota do marrim por që ne marrim mandatin e tretë është e padiskutueshme. Meta ka humbur përgjegjshmërinë politike. Ajo që lexohet qartë nuk ka nevojë për dy kuptime.
Ajo forcë politike që arrin të sigurojë shumicën vërtetohet nga rezultati i zgjedhjeve dhe nga hapat në procedurën parlamentare. PS formon qeverinë duke marrë mbi 71 mandate. Ilir Meta mund të bëjë shumë gjëra si Ilir Metë. Si president nuk bën dot gjë”, tha Xhafaj.
Xhafaj u shpreh se Meta e ka rrëzuar vetë presidentin e republikës duke bërë opozitarin, gjë që sipas tij tashmë nuk e fsheh as në deklaratat publike.
“Ilir Meta e ka rrëzuar vetë presidentin e republikës sepse nuk është duke u sjellë si presidenti i republikës. Ka dy përgjegjësi të jetë kryetar i shtetit dhe përfaqësues i unitetit. Ai është duke bërë opozitarin. Ka filluar të mos e fshehë as ai vetë”, u shpreh ai.
I pyetur lidhur me disa nga socialistët e vjetër që i munguan listës elektorale të 25 prillit, Xhafaj u shpreh se ata janë njerëz që kanë hyrë dhe kanë dalë nga parlamenti me integritet.
“Vasilika Hysi do t’i mungojë gjatë Kuvendit për parimet, integritetin dhe profesionalizmin e saj. Besnik Bare është modeli i njeriut me integritet. Eglantina Gjermeni, kam punuar më pak, por e vlerësoj për integritetin dhe shpirtin aktiv në mbrojte të të drejtave të grave një zëdhënëse e fortë e shoqërisë civile. Musa Ulqini, plotësisht socialist 24 karatësh.
Ditmir Bushati, një ministër shumë i zoti në punën e tij, socialist në rritje, njeri aktiv në jetën publike dhe me kontribute konkrete kur ka qenë ministër i Jashtëm.
Për asnjë nga ta qenia deputet nuk është qëllim në vetvete. Kanë qenë personazhe publik të njohur për vlerat individuale para se të hynin në politik, kanë hyrë njerëz me integritet dhe kanë dalë po kaq me integritet dhe kjo tregon se PS është vendi i njerëzve me vlera”, tha Xhafaj./mv.abcnews.al