Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë: Qeveria të përmbahet nga masat që përjashtojnë vendin nga nismat rajonale

schedule11:29 - 12 Shtator, 2024

schedule 11:29 - 12 Shtator, 2024

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i vlerëson si shqetësuese paralajmërimet e ditëve të fundit lidhur me mundësinë e përjashtimit të Kosovës nga nismat e bashkëpunimit rajonal për shkak të qasjes aktuale.

“Duke përsëritur thirrjen e saj ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës për shfuqizim të masës që pengon lëvizjen e lirë të mallrave nga shtetet anëtare të marrëveshjes CEFTA, Oda Amerikane thekson se një masë e tillë rrezikon jo vetëm të arriturat e shënuara përgjatë viteve, por kërcënon prospektet e ardhshme të Kosovës, të cilat do të rezultonin nga bashkëpunimi ekonomik”, thuhet në reagim.

Më tej thuhet se Oda Amerikane rithekson se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë parakusht për realizimin e aspiratave për integrim euro-atlantik, ndërsa qasja aktuale e cila mund të çojë në izolim ekonomik e politik, do të sillte pasoja të paparashikueshme për Kosovën, rritjen ekonomike dhe mirëqenien e qytetarëve, aq më tepër që paralajmërimet e tilla nuk duhet të shihen si retorikë boshe, meqë tashmë Kosova është duke u ballafaquar me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian, të cilat rezultojnë në mundësi të humbura të zhvillimit ekonomik dhe përparimit social.

“Duke qenë të vetëdijshëm për barrierat e shumta me të cilat ballafaqohen prodhuesit nga Kosova në përpjekjet për plasimin e produkteve të tyre në tregun rajonal, Oda Amerikane përsërit qëndrimin e saj se këto sfida duhet të adresohen përmes mekanizmave të paraparë në kuadër të aranzhimeve për tregti të lirë dhe përmes dialogut të hapur dhe konstruktiv”, thuhet në komunikatë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!