Varianti britanik i koronavirusit po përhapet në të gjithë botën dhe që nga java e kaluar është zbuluar në 60 vende, njoftoi sot Organizata Botërore e Shëndetësisë .
Edhe varianti i Afrikës së Jugut, që si ai britanik është më ngjitës, po përhapet më ngadalë dhe është identifikuar deri më tani në 23 vende dhe rajone.
“Aktualisht ka shumë pak informacion në dispozicion për të vlerësuar nëse ashpërsia e Covid-19 ka ndryshuar për shkak të këtyre mutacioneve të reja”, tha OBSH.
Variantit britanik, që u raportua në OBSH në mes të dhjetorit dhe konsiderohet të jetë 50% deri 70% më ngjitës sesa lloji origjinal SARS-CoV-2 , është identifikuar në gjashtë zona gjeografike të OBSH-së, ndërsa lloji i Afrikës së Jugut në 4.
Sipas studimit të deritanishëm, këta dy mutantë nuk janë më të rrezikshëm, por duke infektuar më shumë njerëz, ata ushtrojnë më shumë presion në sistemin shëndetësor të vendeve. Më shumë se 2 milion njerëz në të gjithë botën kanë vdekur nga Covid-19 deri më tani.
OBSH-ja tha në një raport të lëshuar sot se numri i të vdekurve u rrit 9% gjatë javës që përfundoi me 17 janar nga një rekord prej 93,000 vdekjesh. g.v/abcnews.al