OBSH thirrje palëve ndërluftuese në Sudan: Hapni korridoret humanitare!

schedule15:20 - 20 Prill, 2023

schedule 15:20 - 20 Prill, 2023

Franca nuk do të largojë qytetarët e saj nga Sudani “në këtë fazë”, tha sot një zëdhënës i ministrisë së jashtme franceze, duke shtuar se vendi i tij aktualisht po fokusohet në arritjen e një armëpushimi, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë u bëri thirrje të dy palëve që të ndalojnë konfliktin.

OBSH u kërkoi palëve ndërluftuese të ofrojnë kujdes mjekësor për të plagosurit dhe të hapin korridoret humanitare për mjekët, pacientët dhe ambulancat.

Banorët në kryeqytetin Khartoum raportuan për të shtëna me armë zjarri sot pasi shumë u përpoqën të largoheshin nga qyteti, i cili është paralizuar praktikisht nga luftimet e ashpra midis ushtrisë dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake (RSF).

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të zbatojnë një pauzë të qëndrueshme humanitare sa më shpejt të jetë e mundur,” tha drejtori rajonal i OBSH-së për Mesdheun Lindor Ahmed Al-Madari.

Të dy palët kishin deklaruar më parë se do të respektonin një armëpushim 24-orësh që do të hynte në fuqi ditën e djeshme. Madari tha se korridori humanitar duhet të krijohet për të lejuar lëvizjen e sigurt të punonjësve shëndetësorë, pacientëve dhe ambulancave.

Richard Brennan, Drejtori Rajonal i OBSH-së për Emergjencat, tha se evakuimi mjekësor i të plagosurve rëndë në Sudan “nuk është aktualisht një opsion realist” për shkak të situatës së dobët të sigurisë.

Brennan shtoi se OBSH planifikon të dërgojë më shumë pajisje mjekësore, duke përfshirë komplete kirurgjikale urgjente, në Sudan sa më shpejt që të jetë e mundur.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!