Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandoi sot që vendet e prekura nga mpox (i njohur si lija e majmunëve) të fillojnë programet e vaksinimit në zonat ku janë raportuar raste.
Një shpërthim i mpox në Republikën Demokratike të Kongos, i shkaktuar nga lloji clade 1b, dhe që prek gjithashtu Burundin, Kenian, Ruandën dhe Ugandën, ishte arsyeja që OBSH shpalli një gjendje të jashtëzakonshme të shëndetit publik në 14 gusht, niveli më i lartë i alarmit shëndetësor.
Republika Demokratike e Kongos shpreson të marrë dozat e para të vaksinës mpox brenda javës së ardhshme, pas premtimeve nga Shtetet e Bashkuara dhe Japonia për ta ndihmuar atë të luftojë shpërthimin, tha sot ministri i shëndetësisë i Kongos.
OBSH kishte marrë një vendim të ngjashëm në vitin 2022 kur një epidemi, e shkaktuar në atë kohë nga soji clade 2b, u përhap në mbarë botën. Heqja e alarmit u bë në maj 2023, por OBSH-ja kishte bërë rekomandime publike për të gjitha vendet, kryesisht duke u kërkuar atyre që të përgatisnin plane kombëtare të kontrollit ose të ruanin mbikëqyrjen. Këto rekomandime mbeten në fuqi, por OBSH sot dha rekomandime shtesë për “vendet që përjetojnë shpërthime, veçanërisht, por pa u kufizuar në Republikën Demokratike të Kongos, Burundin, Kenia, Ruandën dhe Ugandën”.
OBSH rekomandon që vendet, ndër të tjera, të “fillojnë programe për të promovuar përpjekjet për vaksinimin e lisë në zonat e shpërthimit (d.m.th., ku sëmundja ka ndodhur gjatë dy deri në katër javët e mëparshme), duke synuar njerëzit në rrezik të lartë të infeksionit (për shembull, kontaktet të rasteve, duke përfshirë kontaktet seksuale, fëmijët, punonjësit shëndetësorë dhe personelin infermieror.)
Për sa i përket transportit ndërkombëtar, OBSH rekomandon “krijimin ose forcimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit ndërkufitar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e rasteve të dyshuara të lisë, shkëmbimin e informacionit me udhëtarët dhe kompanitë e transportit”./abcnews.al