Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi rritje të numrit të rasteve me Covid gjatë verës në Europë dhe u kërkoi anëtarëve të saj të monitorojnë situatën pasi numri i të infektuarve është trefishuar gjatë muajit të kaluar, sipas mediave të huaja.
“Ndërsa vendet në të gjithë Europën lehtësojnë masat e distancimit social, numri i rasteve do të rritet gjatë verës”, tha drejtori i OBSH-së për Europën, Hans Kluge. “Virusi nuk do të zhduket thjesht sepse vendet kanë ndaluar së monitoruari atë. Ai vazhdon të infektojë, vazhdon të ndryshojë dhe vazhdon të vrasë”, tha ai në një deklaratë për AFP.
Numri i rasteve të Covid-19 në 50 vendet e zonës së OBSH-së në Europë këtë javë shënoi 500,000 në ditë, nga rreth 150,000 në fund të majit, sipas të dhënave të mbledhura nga Organizata. Numri i të vdekurve, i cili ka shënuar 4-5,000 në ditë në dimër, mbetet në nivele të ulëta, rreth 500, që është afërsisht niveli që ishte në verën e 2020.
Pothuajse të gjitha vendet europiane po regjistrojnë rritje të rasteve, si Portugalia, Luksemburgu, Franca, Greqia, Qiproja, Gjermania dhe Austria.
“Shpresojmë që programet e rëndësishme të vaksinimit nga shumica e vendeve anëtare, si dhe infeksionet e mëparshme, do të na lejojnë të shmangim pasojat më të këqija, si ato që pamë në fillim të pandemisë. Ndërkohë, rekomandimet tona mbeten në fuqi”, shtoi Kluge.
OBSH u ka kërkuar europianëve që të izolohen nëse kanë simptoma, të vaksinohen dhe të mbajnë maska në vendet e mbipopulluara.
“Ne duhet të vazhdojmë të gjurmojmë virusin,” theksoi Kluge. “Imuniteti i lartë i popullsisë dhe zgjedhjet e bëra për të reduktuar rrezikun për të moshuarit janë çelësi” për të mos rritur vdekshmërinë në muajt e verës, shtoi ai.
/abcnews.al