Në provincën e Idlibit në veriperëndim të Sirisë Organizata Botërore e Shëndetësisë është shprehur me shqetësim për gjendjen shëndetësore të civilëve. Vetëm në ditët e fundit në rajon janë shpërngulur 130 mijë civilë për shkak të sulmeve të cilat vijnë në rritje.
“OBSH është thellësisht e shqetësuar për përkeqësimin e kushteve shëndetësore në veriperëndim të Sirisë”, thuhet në deklaratën e OBSH Më tej theksohet se përveç vsulmeve kushtet e vështira të motit po vështirësojnë gjendjen.
Gjithashtu bëhet e ditur se nga 12 milionë njerëz që kanë nevojë për shërbime shëndetësore në gjithë Sirinë, 2,7 milion jetojnë në veriperëndim të vendit dhe 500 mijë në jug të Idlibit.
OBSH tha se është informuar se në Idlib, 14 qendra themelore shëndetësore dhe dy spitale janë mbyllur për shkak të kushteve të sigurisë, ndërkohë që 42 institucione shëndetësore aktive kërcënohen të pezullojnë shërbimet në rast të vazhdimit të sulmeve në rajon.
“Tensionet ushtarake të rritura së fundmi në rajon kanë çuar në viktima civile, lëndime dhe përkeqësimin e vuajtjeve njerëzore. 130 mijë njerëz janë shpërngulur, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar. Disa civilë janë shpërngulur tri herë gjatë luftës nëntëvjeçare në Siri”, ka thënë Richard Brennan, drejtor i Situatave Shëndetësore Urgjente në Rajonin e Mesdheut Lindor pranë OBSH-së.
Ndërkohë sipas burimeve në terren, numri i civilëve që kanë migruar pranë linjës kufitare turke nga rajoni sirian i Idlibit që nga fillimi i nëntorit është rritur në 217 mijë si pasojë e sulmeve të regjimit të Bashar al-Assadit dhe Rusisë, pasi së fundmi edhe dy mijë civilë janë zhvendosur në këtë zonë si rezultat i agresionit.