Gjithsej 31 foshnja neonatale janë evakuuar nga spitali Al-Shifa në Gazën veriore së bashku me gjashtë punonjës shëndetësorë dhe 10 anëtarë të familjes së stafit, konfirmoi të dielën Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Tedros tha në një postim në X se foshnjat, të cilët nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore, u dërguan në Maternitetin e Emirateve në Rafah, në Gazën jugore, ku ata po marrin shërbim urgjent në njësinë e kujdesit intensiv neonatal”.
“Misione të mëtejshme janë duke u planifikuar për të transportuar urgjentisht pacientët e mbetur dhe personelin shëndetësor jashtë spitalit Al-Shifa, në pritje të garancive për kalim të sigurt nga palët në konflikt,” shtoi ai.
Më herët, një burim i qeverisë egjiptiane i tha CNN se më shumë se dy duzina foshnjash neonatale ishin evakuuar nga Al-Shifa.
Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe të Palestinës tha të dielën se ekuipazhet e saj të ambulancës, duke punuar së bashku me OBSH-në dhe Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), “ishin në gjendje të evakuonin 31 foshnja të parakohshme nga spitali Al-Shifa”./abcnews.al