NYT padit Komisionin Europian për mungesë transparence: Fshehën mesazhet midis von der Leyen dhe shefit të Pfizer

schedule14:12 - 14 Shkurt, 2023

schedule 14:12 - 14 Shkurt, 2023

The New York Times ka paditur Komisionin Europian për dështimin e tij për të bërë publike mesazhet midis Presidentes Ursula  von  der  Leyen dhe  CEO  të Pfizer Albert  Burla.

Gazeta do të përballet me avokatët e BE-së në Gjykatën Europiane të Drejtësisë (GJED), duke argumentuar se Komisioni ka detyrimin ligjor të bëjë publike mesazhet, të cilat mund të përmbajnë informacion në lidhje me marrëveshjet e BE-së për blerjen e miliarda eurove të  vaksinave për COVID-19.

Padia është depozituar më 25 janar dhe është publikuar të hënën në regjistrin publik të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, por ende nuk janë bërë detajet publike.

Dy persona të njohur me këtë çështje konfirmuan detajet për Politico, ndërsa The New York Times nuk pranoi të komentonte, ashtu si edhe BE-ja.

Padia vjen pas një hetimi të janarit 2022 nga Emily  O’Reilly, e cila akuzoi  Komisionin për “keqmenaxhim” pasi dështoi të sigurojë akses në mesazhet midis Presidentes  Ursula  von  der  Leyen  dhe shefit ekzekutiv të kompanisë farmaceutike  Pfizer  Albert  Burla  në blerjet e vaksinave të koronavirusit.

Në përgjigje, Komisionerja e BE-së për Vlerat dhe Transparencën, Vera  Jourova , pohoi se mesazhet mund të jenë fshirë, për shkak të “kohëzgjatjes së shkurtër.”

Nga ana e saj, gazeta gjermane  Bild ngriti më parë një sërë padish kundër Komisionit duke kërkuar zbulimin e dokumenteve në lidhje me negociatat për blerjen e vaksinave të prodhuara nga Pfizer / BioNTech  dhe  AstraZeneca.

Kujtojmë se në prill 2021, gazeta New York Times zbuloi se von  der  Leyen  dhe  Burla  shkëmbyen mesazhe dhe telefonata në lidhje me furnizimet me vaksina për  vendet anëtare.

Gazetari  Alexander  Fada  i  netzpolitik.org më pas i kërkoi Komisionit qasje në mesazhe me tekst dhe dokumente të tjera, por Komisioni nuk publikoi asnjë nga mesazhet.

Rasti ka nxjerrë në dritë debatin se si institucionet e BE-së menaxhojnë të tilla situata veçanërisht kur ato përfshijnë informacione për vendimet kryesore të politikave.

/abcnews.al