Përballë gazetarëve, në konferencën e bilanceve të fundvitit në Kryeministri, Rama deklaroi se shumica e rasteve të akuzave brenda familjes së tij politike nuk lidhen me korrupsionin, ndërsa 95 për qind e shërbimeve tashmë funksionojnë pa ndërhyrje njerëzore.
Ai theksoi se Shqipëria është një shoqëri në luftë me korrupsionin, ku janë hapur të gjitha grupkapitujt dhe privilegjet e mëdha janë shuar. Rama shtoi se pretendimet se vendi është “më i korruptuari në botë” janë të ekzagjeruara, ndërsa viraliteti i gënjeshtrave shpesh tejkalon të vërtetën.
“Marrim rastet e njerëzve që kanë paguar para për të marrë një shërbim. 95 për qind e shërbimeve nuk kanë më njerëz. Familja ime politike është shumë e madhe, prodhon 83 mandate, 37 raste kam numëruar unë në gjithë këto vite që kanë shkuar dhe kanë marrë akuzë dhe nga 37 raste ka raste për vepra të ndryshme dhe vetëm disa raste për korrupsion. 80 për qind e tyre i përkasin periudhës së mandatit të parë ose të dytë.
Loja e disave brenda SPAK-ut, që akoma nuk kam dëgjuar të hapet hetim sepse është vepër penale të nxjerrësh të dhëna hetimore nga dosja, është sot shumë aktive, por këto nuk duhet të thonë që realiteti flet për një shoqëri të korruptuar. Është një shoqëri në luftë me korrupsionin dhe që ka hapur të gjithë grupkapitujt dhe ky është realiteti.
Kanë humbur privilegje të mëdha dhe do sajojnë çdo gjë. Unë kam kërkuar marrëveshje me KE që për gazetarët nuk do ketë më ndjekje penale për shpifje. Tendenca e njeriut është që të keqen ta marrë për të vërtetë; viraliteti i gënjeshtrës është 70 herë më i lartë se shpërndarja e së vërtetës. Të thuash që Shqipëria është vendi më i korruptuar në botë, është spektakolare dhe është shumë e besueshme.” / abcnews.al /

