TIRANË- Një ditë më parë u lançua Programi “Posi” për Përshpejtimin e Pranimit të Pagesave Elektronike, në partneritet me Mastercard Evropë, një hap konkret për të reduktuar informalitetin dhe për të rritur ritmin e zhvillimit të ekonomisë shqiptare.
Programi do të fokusohet në tre degë, pagesat digjitale dhe mbështetja e bizneseve, turizmi i bazuar në të dhëna dhe sigurisht të siguria kibernetike. Përgjatë dekadës së fundit zhvillime të mëdha kanë ndodhur me rritje të përfshirjes financiare apo pagesat digjitale.
Sot, rreth 78% e popullsisë kanë të paktën një llogari bankare dhe pagesat digjitale për frymë kanë arritur në 23 nga 2 që ishin 10 vite me parë.
Një sërë nismash janë ndërmarre nga Banka e Shqipërisë por edhe nga qeveria për të nxitur pagesat elektronike si një me mënyrë edhe për të reduktuar informalitetin në ekonomi.
Drejtori i Shoqatës së Zyrave të Këmbimit Valutor, Dritan Vakaj, i ftuar në “Money Report” foli për këtë proces kaq të dobishëm, në një kohë kur në Shqipëri ka rritje të ndjeshme të numrit të turistëve.
“Numri i kartave të lëshuara dhe numri i transaksioneve është në rritje dhe i dyfishuar në periudhën e fundit. Nuk është në nivelin që presim, duhet më shumë”, tha ai.
Ai tregoi se në Shqipëri është rritur numri i personave të pajisur me karta banke. Sipas ekspertit, aktualisht ka një numër të ulet të transaksioneve elektronike nëpërmjet kartave dhe ky fakt nuk është pozitiv.
“Fakti qe kemi një shtim të turizmit dhe klientëve nga vendet e tjera dhe domosdoshmërisht kërkojnë elementin e kartës si instrument pagese, ka rritur përdorimin e tyre edhe në vendin tonë. Ne marrim karta, por nuk i përdorim. Kartat përdoren vetëm për tërheqje parash në atm”, tha ai.
Ai thekson se shoqëria shqiptare ka nevojë të thellojë edukim financiar më qëllim përthithjen e të gjithë avantazheve që të jep pagesa me anë të kartave.
“Konsumatorët të nxisin përdorimin e transaksioneve me kartë. Duhet më shumë edukim financiar tek qytetarët, por po ashtu duhen shtuar niveli i sigurisë”, tha ai./abcnews.al