Mësimet kanë filluar sot rregullisht në gjithë vendin, megjithëse Sali Berisha u bëri thirrje nxënësve të bojkotonin së paku orën e parë dhe kërcënoi mësuesit.
Gazetarët e ABC News kanë ndjekur zhvilimet në shkollat e gjithë vendit, duke nisur nga “Fan Noli në Tiranë, shkolla ku ndodhi ngjarja e rëndë, vrasja e Martin Canit, me gjasë e nisur nga një zënkë në Tik Tok, por edhe atje, mësimi është zhvilluar normalisht.
Në kryeqytet, mësimi ka vijuar normalisht, teksa thirrja e Berishës është konsideruar politike nga prindërit e nxënësve, të cilët kërkojnë që shkolla të mos politizohet.
Ndërkaq, në gjimnazin “Dhaskal Todri” në Elbasan, nuk ka pasur bojkot të mësimit. Nxënësit janë paraqitur në shkollë si çdo ditë.
Në Shkodër, nuk ka pasur problematika sa i takon zhvillimit të mësimit. Thirrja e Sali Berishës për bojkot nuk është dëgjuar nga nxënësit.
Edhe Lezha ka refuzuar thirrjen e Berishës, për bojkot të mësimit, lidhur me mbylljen e Tik Tok.
Në shkollat e Fierit nuk ka pasur bojkot. Nxënësit u paraqiten në shkollë si çdo ditë normale dhe kanë vazhduar aktivitetin mësimor.
Durrësi gjithashtu refuzoi thirrjen e kreut të opozitës, Sali Berisha, që nxënësit të braktisnin mësimit. Prindërit i dërguan fëmijët e tyre në shkollë, që në orën e parë të mësimit.
Mësimi është zhvilluar normalisht në Vlorë, duke mos pranuar thirrjen e Berishës për bojkot të mësimit. Nxënësit e Vlorës shkuan në mësim dhe bojkotuan Berishën.
Zhvillohet mësimi normal në qytetin e Korcës. Nxënësit shkuan në shkollë dhe nuk munguan në orën e parë.