Organizata e Kombeve të Bashkuara ka deklaruar se fenomeni El Niño, i cili përgjithësisht shoqërohet me një rritje të temperaturave globale, do të vazhdojë gjatë gjithë vitit me një intensitet që pritet të jetë “të paktën i moderuar”.
Mediat e huaja shkruajnë se më 8 qershor, Observatori Kombëtar Oqeanik dhe Atmosferik i SHBA-së njoftoi mbërritjen zyrtare të El Niño, duke vlerësuar se “ka gjasa të shkaktojë temperatura të reja rekord të larta” në disa rajone të planetit.
Sipas një deklarate të Organizatës Botërore Meteorologjike, probabiliteti që fenomeni të vazhdojë gjatë gjysmës së dytë të vitit 2023 është 90%.
Megjithatë, shkencëtarët e Agjencisë presin që fenomeni El Niño të jetë me “të paktën intensitet të moderuar”. Por ndikimi i tij në temperaturat globale zakonisht ndodh gjatë vitit pas zhvillimit të tij dhe, për rrjedhojë, ka të ngjarë të ndihet gjatë vitit 2024.
“Ardhja e El Niños do të rrisë ndjeshëm gjasat e temperaturave rekord dhe nxehtësisë më ekstreme në shumë rajone të botës dhe në oqeane”, tha në njoftim Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore Meteorologjike, Petri Taalas.
Ndër të tjera Taalas ka theksuar se paralajmërimi i El Nino nga Organizata Botërore Meteorologjike është një njoftim për qeveritë në mbarë botën që të përgatiten për të kufizuar ndikimin në shëndetin tonë, ekosistemet tona dhe ekonomitë tona.
Petri Taalas thekson rëndësinë e sistemeve dhe masave të paralajmërimit të hershëm për të parashikuar ngjarjet ekstreme të motit që lidhen me këtë fenomen të rëndësishëm klimatik “për të shpëtuar jetë dhe mjete jetese”.
Fenomeni El Niño zhvillohet mesatarisht çdo dy deri në shtatë vjet dhe episodet zgjasin nga nëntë deri në dymbëdhjetë muaj. Ky është një fenomen klimatik natyror i lidhur me rritjen e temperaturave të sipërfaqes së oqeanit në Paqësorin tropikal qendror dhe lindor.
El Niño tenton të shkaktojë një rritje të reshjeve në disa zona të Amerikës së Jugut dhe jugut të Shteteve të Bashkuara, Bririt të Afrikës dhe Azisë Qendrore. Mund të shkaktojë thatësirë të madhe në Australi, Indonezi dhe disa pjesë të Azisë Jugore dhe Amerikës Qendrore./abcnews.al