Laçi do të përballet me Tiranën të dielën. Kurbinasit kanë marrë pikët e plota në tre takimet e fundit në kampionat dhe janë ngjitur në vendin e tretë. Sigurisht që ka edhe shumë ndeshje deri në fund dhe ruajtja e këtij pozicioni nuk do të jetë e lehtë.
Takimi me bardheblutë të dielën është i një shkalle vështirësie të lartë, edhe për shkak të mungesave që kurbinasit do të kenë. Shqetësimi kryesor i trajnerit Armando Cungu është sulmuesi Kryian Nwabueze, autor i 17 golave këtë sezon.
Nigeriani me pasaportë amerikane është shënuesi më i mirë në kampionat deri më tani dhe këtë javë do të ndalet. Ai u dëmtua në takimin kundër Bylisit dhe shpresohet që në takimin e javës së ardhshme me Teutën të jetë gati.
Veç tij, nuk do të jetë i gatshëm për trajnerin Armando Cungu as braziliani Teco, i cili këtë vit ka vuajtur dëmtimet. Probleme edhe për një nga zbulimet e këtij kampionati, mesfushorin Ardit Deliu. Futbollisti 22-vjeçar u dëmtua ndaj Bylisit dhe kundër Tiranës e ka të vështirë të jetë i gatshëm për lojë. /abcnews.al