Nwabueze dhe kredi në bankë, çështje milionash te Laçi dhe Tirana

schedule08:18 - 16 Mars, 2021

schedule 08:18 - 16 Mars, 2021

Paratë janë shumë të rëndësishme në futboll dhe mund të zgjidhin probleme të ndryshme. Laçi përmes tyre ka vendosur të shlyejë gjysmën e dënimit për sulmuesin e tyre, Kyrian Nwabueze. Nigeriani me pasaportë amerikane ishte pezulluar me 10 ndeshje pas sherrit në Ballsh në ndeshjen kundër Bylisit.

Golashënuesi i sezonit të shkuar ka shlyer 5 nga 10 ndeshjet dhe rregullorja i jep të drejtën ta konvertojë pjesën e mbetur të dënimit me gjobë. Kështu do ndodhë dhe Laçi do të paguajë 5 milion lekë të vjetra dhe Nwabueze mund të aktivizohet që në duelin e radhës në kupë kundër Partizanit.

Te Tirana situata është tjetër. Bardheblutë kanë nevojë për para dhe së fundmi, në Asamblenë e Përgjithshme të KF Tirana Sh.a, është miratuar kërkesa për ndryshimin e Këshillit Mbikëqyrës të klubit dhe si përfaqësues i Halili Shpk do të jetë Tefik Osmani.

Një tjetër gradim i korçarit, i cili mbulon edhe rolin e drejtorit sportiv te Tirana. Në rendin e ditës në dokumentin e publikuar në “Panorama Sport” dallohet edhe diskutimi për miratimin e marrjes së një kredie në një bankë të nivelit të dytë.

Nuk flitet për shifra, ndërkohë që për kredinë do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme kur i pranishëm të jetë edhe përfaqësuesi i aksioneve të Bashkisë Tiranë, Arbjan Mazniku. Ai nuk mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të KF Tirana Sh.a. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!