“Numri i rasteve me kancer në rritje”, shefja e onkologjikut në QSUT apelon: Kontrolli i gjirit, ju shpëton jetën

schedule13:55 - 5 Tetor, 2023

schedule 13:55 - 5 Tetor, 2023

Në kuadër të tetorit rozë, Silva Celiku, shefe e spitalit onkologjik në QSUT, apelon përmes ekranit të ABC News, për kontrolle të vazhdueshme me qëllim parandalimin e kancerit të gjirit.
Për ‘Tirana Live’, ajo u shpreh se fatkeqësisht numri i kancerit të gjirit ka shënuar rritje nga viti në vit, duke mos kursyer as moshat e reja.

“Ne që përpara mendojmë për muajin tetor, e quajmë një muaj simbol të luftës kundër kancerit të gjirit, I cili fatkeqësisht është një kancer që vjen e shtohet përditë dhe është kanceri numër një që prek seksin femër, por jo vetëm sepse është një kancer që prek edhe meshkujt, pavarësisht se në një përqindje shumë të vogël. Ne mundohemi të bëjmë një plan pune ku të flasim më shumë me të gjitha gratë, që ato të kuptojnë se mjafton një eko e thjeshtë, një konsultë që I shpëton jetën. Ne në këtë muaj ofrojmë mamografi falas në të gjithë ditën, 08:00-18:00, ku kemi bërë edhe një kalendar, nëse shohim dicka kryejmë konsultat me mjekët përkatës. Bëhet jo vetëm në QSUT por në të gjitha qendrat ku ka mamografi.” tha ajo ndërsa shtoi se edhe këtë vit pritet që numri i regjistruar me kancer gjiri te vajzat dhe gratë të shënojë rritje.

“Pavarësisht luftës së madhe dhe sensibilizimit që ne bëjmë, vetëm vjet kemi kryr rreth 20 mijë mamografi. Sipas regjistrit kombëtar të kancerit në Shqipëri, numri i rasteve është rritur me rreth 20%. Pra kemi shkuar në rreth 710-720 raste të reja në vit, të paktën në 2022. Por edhe këtë vit rastet nuk janë të pakta, do presim përsëri një rritje të vogël të numrit të rasteve të reja, por synojmë jo vetëm parandalim, por edhe ta kapim në faza të hershme për ta trajtuar sa më shpejt dhe me sa më pak kosto, jo vetëm ekonomike por edhe psikologjike.” U shpreh Celiku.

Por cilat janë moshat e rrezikuara?

“Mosha më e shpeshtë është ajo 50-70 vjecare por kjo nuk do të thotë se pjesa tjetër është e përjashtuar, do thoja që të gjitha vajzat pas moshës 20 vjecare duhet të kujdesen për gjirin e tyre, sepse jo pak raste vihet re edhe në moshat e hershme. Duhet patjetër që cdo gjë të vogël që të vënë re në gjirin e tyre, duhet ta alarmojnë të shkojnë te mjeku. Cdo femër deri në moshën 40 vjec, të paktën një herë në vit duhet të bëjë një ekografi, dhe më pas pas të 40 kombinohet edhe me mamografi. ” -u shpreh ajo./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!